Rama: Projekti në Zvërnec do të sjellë 7 miliardë euro, po përhapet dezinformim

01 Jun 2026 20:54
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama foli nga Berati për situatën në Zvërnec, duke deklaruar se debati rreth projektit është shoqëruar me dezinformim dhe manipulim, ndërsa theksoi se projekti ende nuk është përfunduar dhe po punohet prej afro tre vitesh.

Sipas Ramës, protestat kundër projektit po zhvillohen mbi bazën e informacioneve të pasakta.

“Ka një protestë në Tiranë, për çfarë? Protestohet për të mbrojtur natyrën. Por kush e ka kërcënuar natyrën? Protestohet për të mos shkatërruar biodiversitetin, por kush e ka vënë në rrezik këtë? Protestohet për të mos hequr nga zona e mbrojtur Zvërnecin. Po kush e ka hequr? Debati real sot nuk është a do hiqet apo do rrijë ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do të jetë”, tha Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri theksoi se çështja kryesore lidhet me modelin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në vitet e ardhshme.

“Debati sot është më i thjeshtë se kaq. Çfarë Shqipërie do të zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do të kemi pas 15 vitesh? Si do ta rrisim Shqipërinë ekonomikisht, nëse ne industrinë tonë kryesore kemi turizmin. Dhe turizmi është një industri që zhvillohet në ato vende që kanë respekt për natyrën”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Rama tha se vendi nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm te turizmi masiv dhe investimet e vogla.

“Nëse ne mendojmë se do të rrisim prodhimin tonë të brendshëm kombëtar, do të rrisim pagat, pensionet dhe konsumin pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim. Nëse ne mendojmë se do të vazhdojmë vetëm me investimet e vogla dhe me hotelet që sjellin turizëm masiv, atëherë ne mendojmë gabim”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, investime të tilla si ai i Zvërnecit janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe do të sjellin përfitime në shumë sektorë.

“Investime si ky i Zvërnecit janë investime që do t’i donte çdo vend. Mobilizojnë të gjithë, bujqit, sistemet e transportit, mobilizojnë shumë të ardhura, duke rritur vlerën e pronës dhe të pasurive të paluajtshme përreth”, tha Rama.

Ai hodhi poshtë pretendimet se projekti lidhet me interesa izraelite apo me vendosjen e palestinezëve në zonë, duke i cilësuar këto si manipulime.

“Ka njerëz që përhapin një legjendë skandaloze se Zvërneci i është shitur Izraelit dhe aty do të vijnë palestinezët. Ky është një manipulim i madh”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se projekti po hartohet nga studio prestigjioze ndërkombëtare dhe se ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi.

“Projekti nuk është i përfunduar, punohet prej thuajse tre vitesh. Po punohet nga pesë studiot më prestigjioze në botë dhe nga inxhinierët më të mirë. Pa plotësimin e të gjitha standardeve dhe kërkesave nuk ka leje ndërtimi”, tha ai.

Në fund, kryeministri u ndal edhe te incidenti me protestuesit në Zvërnec, duke theksuar se rëndësi ka reagimi i institucioneve ndaj rasteve të tilla.

“Në fund të ditës asnjë shtet nuk matet me gjërat që ndodhin, por matet me mënyrën se si reagon, sepse kudo ndodhin gjëra, sidomos në vendet demokratike”, përfundoi Rama.