Kryeministri Edi Rama ka pritur në zyrën e tij në Kryeministri kampionin shqiptar të boksit, Nelson Hysa, pas suksesit të fundit që e çoi rekordin e tij në 25 fitore dhe asnjë humbje.
“Nelsoni, the Albanian Eagle që nuk njeh humbje dhe unë bashkë me demokratin Zef Gjoni që luftojmë veç për fitore”, shkroi Rama, duke publikuar pamje nga takimi.
Dy ditë më parë, Hysa mposhti norvegjezin Thomas Narmo brenda dy raundeve, duke mbrojtur titullin dhe duke vijuar serinë e tij të fitoreve në boksin profesionist.
Gjatë vizitës në Kryeministri, boksieri shqiptar i dhuroi Ramës një palë doreza boksi, ndërsa tregoi edhe detaje nga përballja me Narmo.
“Kisha 11 muaj që nuk bëja ndeshje boksi. Më duhej të mbroja titullin. Kundërshtari ishte shumë i fortë në fakt. Norvegjez, 7 cm më i gjatë, më i rëndë në peshë. Ishte favorit të them të drejtën. E kishin zgjedhur të më merrte titullin. Fatmirësisht shkoi mirë. E humba raundin e parë, por raundi i dytë shkoi mbarë e mirë”, u shpreh Hysa gjatë bisedës me Kryeministrin.
Boksieri foli gjithashtu për pozicionimin e tij në renditjet ndërkombëtare, duke theksuar se është i renditur në katër kategori në nivel botëror.
Takimi nuk kaloi pa batuta mes Ramës dhe trajnerit të Hysës, Zef Gjoni. Duke iu drejtuar këtij të fundit, Kryeministri tha me humor: “Këtë hundën time ma keni thyer ju demokratët”.
Fitorja e fundit e Nelson Hysës konfirmoi ecurinë e tij pa humbje, me boksierin shqiptar që tashmë numëron 25 fitore në po aq ndeshje profesioniste.


