Rama për protestën: Algoritmi ushqen konfliktin, ne do ta çojmë Shqipërinë drejt BE-së

20 Jun 2026 15:27
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe ministrave të kabinetit qeveritar, ku në qendër të vëmendjes ishte protesta qytetare që prej tre javësh po zhvillohet në bulevard.

Rama e cilësoi protestën si pjesë të një “cikloni digjital”, që sipas tij e tejkaloi debatin real mbi projektin e Zvërnecit dhe u shndërrua në një betejë globale të ushqyer nga rrjetet sociale, algoritmet, interesat politike dhe dezinformimi.

“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni digjital, një vorbull shumëfish më e madhe sesa vetë përmasa e vendit tonë”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Sipas Ramës, ajo që ndodhi nuk flet vetëm për qeverisjen apo për protestën, por për kohën ku jetojmë, ku një ngjarje lokale mund të kthehet brenda pak orësh në përplasje globale.

Ai tha se debati për Zvërnecin mori përmasa ndërkombëtare jo për shkak të interesit real për flamingot apo zonën e mbrojtur, por për shkak të emrit të Jared Kushner dhe lidhjes së tij familjare me presidentin amerikan Donald Trump.

Reklamë InterMedika

“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij”, deklaroi Rama.

Kryeministri akuzoi se protesta u shfrytëzua nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë dhe digjitalë, brenda dhe jashtë vendit, për të prodhuar zemërim, klikime dhe ndikim politik.

Rama u ndal gjerësisht te roli i rrjeteve sociale dhe algoritmeve, duke thënë se ato shpërblejnë konfliktin, indinjatën dhe frikësimin.

“Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet atij në dispozicion. Ai shpërblen indinjatën dhe ai shpërblen edhe frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime. Klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para”, tha Rama.

Sipas tij, ekonomia e vëmendjes është kthyer në ekonomi politike, ku sa më shumë zemërim të prodhohet, aq më shumë rritet ndikimi dhe pushteti mbi publikun.

“Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se protestat sot nuk zhvillohen vetëm në shesh, por kryesisht në algoritëm, ndërsa sheshi përdoret si skenë për të prodhuar pamje, video dhe materiale që më pas qarkullojnë në rrjet.

“Sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh. Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit”, deklaroi ai.

Kryeministri bëri dallimin mes kritikës legjitime dhe kritikës që, sipas tij, kthehet në identitet politik, ku qëllimi nuk është zgjidhja e problemit, por mbajtja gjallë e zemërimit.

Ai tha se qeveria duhet të dëgjojë kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por nuk mund të dorëzojë drejtimin e vendit te zhurma e rrjeteve sociale.

“Një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët. Përkundrazi, një qeveri duhet të dëgjojë. Por një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma”, theksoi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te sfida e demokracisë në epokën digjitale. Ai tha se për dekada beteja kryesore ka qenë liria e shprehjes, ndërsa sot sfida më e madhe është mbrojtja e fakteve nga gënjeshtrat masive që përhapen në rrjete sociale.

“Demokracitë nuk rrezikohen vetëm nga ata që ndalojnë të vërtetën të flasë; rrezikohen nga ata që e mbysin në një lumë të pafund gënjeshtrash”, tha ai.

Rama përmendi edhe akuzat personale ndaj tij, duke thënë se shumë prej tyre janë kthyer në “të vërteta” në rrjetet sociale, pavarësisht mungesës së fakteve.

Sipas tij, në realitetin e ri digjital shpifja qarkullon më shpejt se përgënjeshtrimi dhe krijon një realitet paralel.

Duke folur për qeverisjen, Rama tha se Partia Socialiste duhet të vazhdojë përpara me detyrën e saj kryesore: ndërtimin e shtetit dhe çuarjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai theksoi se Shqipëria nuk është një hashtag dhe as një skenë virtuale, por një vend që ka një objektiv historik përpara.

“Ne jemi këtu për të fituar Shqipërinë 2030 në BE. BE-ja është Itaka jonë”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se qeveria nuk duhet të zgjedhë rrugën më të lehtë apo zgjidhjet e përkohshme për të shmangur presionin publik, por duhet të ndjekë rrugën e përgjegjësisë.

“Nuk jemi këtu për të qenë të pëlqyer, jemi këtu për të qenë të dobishëm”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës, kryeministri theksoi se Partia Socialiste nuk do të intimidohet nga presioni i rrjeteve sociale apo nga “mercenarët digjitalë”, por do të vijojë misionin e saj për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.

“Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë. Ne kemi punë tjetër. Ne kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht”, përfundoi Rama.