Kryeministri Edi Rama, teksa ka paralajmëruar nisjen e sezonit të ri të podkastit “Flasim”, ka komentuar edhe situatën në Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se kryeqyteti aktualisht po drejtohet “pa kokë”.
Në një prej fragmenteve të publikuara nga intervista, Rama e cilëson situatën në Bashkinë e Tiranës si një “eksperiment social, politik dhe ekonomik”.
“Bashkia nuk ka kokë, është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, shprehet Kryeministri.
Rama flet gjithashtu për pushtetin dhe peshën që ai ushtron mbi njerëzit që e mbajnë, ndërsa në një tjetër pjesë të intervistës shprehet për një figurë politike, pa e identifikuar në fragmentin e publikuar.
“Ishte një talent, talent i madh politik, që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme. Ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra”, deklaron ai.
Kryeministri ndalet edhe te çështja e pasardhësit të tij politik, duke thënë se nuk ka ndërmend të zgjedhë personin që do ta pasojë në të ardhmen.
“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë do të kaloj pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga mua”, shprehet Rama.
Në podkastin “Flasim”, Kryeministri pritet të trajtojë edhe një sërë çështjesh të tjera politike dhe publike, mes tyre zhvillimet lidhur me ishullin e Sazanit, SPAK-un dhe rrugëtimin e tij shumëvjeçar në politikë.


