Rama paralajmëron rikthimin e “Flasim”: Nga Sazani dhe SPAK te Bashkia e Tiranës dhe pasardhësi politik

06 Sep 2026 10:25
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e sezonit të ri të podkastit “Flasim”, këtë herë në një format ndryshe, ku ai kalon nga roli i intervistuesit në atë të të intervistuarit.

Në videon paralajmëruese të publikuar, Rama shfaqet duke iu përgjigjur pyetjeve për një sërë çështjesh që kanë qenë në qendër të debatit politik dhe publik, nga investimi në ishullin e Sazanit dhe puna e SPAK-ut, te situata në Bashkinë e Tiranës, raporti i tij me pushtetin dhe e ardhmja politike.

Duke folur për projektin në ishullin e Sazanit, Kryeministri kundërshton pretendimet se investitorët do të marrin pronësinë e ishullit.

Reklamë Ola

“Ata nuk po blejnë ishullin, as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishulli do të jetë pronë e Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, deklaron Rama.

Në një tjetër fragment, ai flet për një “krim të mandatuar”, duke deklaruar se një prej ekzekutorëve është një person plotësisht i njohur prej tij, pa dhënë më shumë hollësi në videon paralajmëruese.

Reklamë InterMedika

Rama shfaqet kritik edhe ndaj SPAK-ut, veçanërisht për mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar në media persona që më pas janë vendosur nën akuzë.

“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata që do të merrte nën akuzë, kjo nuk bëhet”, shprehet Kryeministri.

Në një tjetër pjesë të videos, Rama deklaron se “koha tregoi që unë kisha investuar në një maskë karnavalesh”, ndërsa kritikon edhe një vendimmarrje të një prokurori dhe një gjyqtari, të cilët, sipas tij, kanë marrë kompetenca që u takojnë institucioneve të tjera.

“Prokurori së bashku me një gjykatës u bashkuan në një dhomë dhe vendosën që të bënin kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë nuk mund ta bëj”, deklaron ai.

Një nga deklaratat e tjera lidhet me drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Rama thotë se kryeqyteti aktualisht po përballet me një situatë të pazakontë për shkak të mungesës së një drejtimi të qartë.

“Bashkia nuk ka kokë, është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, shprehet ai.

Kryeministri flet gjithashtu për pushtetin dhe ndikimin e tij mbi politikanët, duke iu referuar një personi si një “talent të madh politik” që, sipas tij, nuk arriti ta përballonte peshën e pushtetit.

“Ishte një talent, talent i madh politik, që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme. Ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra”, thotë Rama.

Në fund, ai ndalet edhe te debati për pasardhësin e tij politik, duke përjashtuar mundësinë që të jetë vetë ai që do të zgjedhë personin që do ta pasojë.

“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë do të kaloj pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga mua”, deklaron Rama.

Intervista e plotë në podkastin “Flasim” pritet të sjellë më gjerësisht qëndrimet e Kryeministrit për këto çështje dhe për rrugëtimin e tij politik.