Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Prokurorinë e Posaçme, duke e akuzuar se ka përdorur mediat për të dëmtuar publikisht imazhin e personave që më pas do të vendoseshin nën akuzë.
Deklaratat e Ramës janë pjesë e fragmenteve të publikuara në videon paralajmëruese për nisjen e podkastit “Flasim”, ku këtë herë Kryeministri shfaqet në rolin e të intervistuarit dhe iu përgjigjet pyetjeve për një sërë çështjesh politike dhe institucionale.
Sipas Ramës, mënyra se si SPAK-u ka vepruar në raport me mediat përbën një nga aspektet më problematike të punës së institucionit.
“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata që do të merrte nën akuzë, kjo nuk bëhet”, deklaron Rama.
Në një tjetër fragment të shkëputur nga intervista, Kryeministri shprehet se “koha tregoi që unë kisha investuar në një maskë karnavalesh”, pa u bërë e qartë nga videoja paralajmëruese se kujt i referohet konkretisht.
Rama kritikon gjithashtu një vendimmarrje të marrë nga një prokuror dhe një gjyqtar, duke pretenduar se ata kanë marrë përsipër kompetenca që, sipas tij, u përkasin institucioneve të tjera kushtetuese.
“Prokurori së bashku me një gjykatës u bashkuan në një dhomë dhe vendosën që të bënin kryeministrin, parlamentin dhe presidentin. Unë këtë nuk mund ta bëj”, shprehet Rama.
SPAK-u nuk është tema e vetme që Kryeministri prek në intervistën e paralajmëruar. Në një tjetër fragment, ai komenton situatën në Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se kryeqyteti aktualisht po drejtohet “pa kokë”.
“Bashkia nuk ka kokë, është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, deklaron Rama.
Intervista e plotë në podkastin “Flasim” pritet të sjellë më gjerësisht qëndrimet e Kryeministrit për SPAK-un, drejtësinë, situatën në Bashkinë e Tiranës dhe çështje të tjera të aktualitetit politik.


