Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur nisjen e zbatimit të projektit për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore përmes instalimit të kamerave inteligjente. Faza e parë ka përfshirë 20 shkolla në Tiranë, ndërsa projekti pritet të shtrihet gradualisht edhe në institucione të tjera.
Sipas Ramës, sistemi i ri synon t’u japë drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë dhe Policisë së Shtetit mundësi më të mëdha për të identifikuar në kohë reale situata që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve dhe për të reaguar më shpejt.
Kryeministri e lidhi projektin me zotimin e bërë pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur në një shkollë të Tiranës, kur, sipas tij, kamerat ekzistuese nuk kishin qenë të mjaftueshme për të kuptuar plotësisht dinamikën e ngjarjes.
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ky zotim tashmë ka nisur të konkretizohet me instalimin e sistemit të ri në 20 shkollat e para të kryeqytetit.
“Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë, por natyrisht edhe të vetë prindërve”, u shpreh kryeministri.
Rama shpjegoi se kamerat e reja janë vendosur në të njëjtat hapësira ku ndodheshin sistemet e mëparshme të monitorimit, por teknologjia e tyre mundëson jo vetëm regjistrimin e pamjeve, por edhe sinjalizimin në kohë reale të situatave të caktuara.
“Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, por ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin, por edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit, duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, 20 shkollat e Tiranës përbëjnë vetëm fazën e parë të projektit, i cili do të vijojë të zgjerohet.
“Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, përfundoi Rama.
Në kuadër të prezantimit të projektit, kryeministri zhvilloi edhe një vizitë në gjimnazin “Partizani”, një prej 20 shkollave të Tiranës ku është instaluar sistemi i kamerave inteligjente.


