Rama mohon akuzat për mbylljen e 200 llogarive në rrjetet sociale: Nuk kemi as aftësinë teknike

03 Sep 2026 19:34
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj aludimeve se qeveria qëndron pas mbylljes ose kufizimit të rreth 200 llogarive në rrjetet sociale, të cilat pretendohet se kishin lidhje me protestën.

Përmes një reagimi në “X”, Rama i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se qeveria jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rol në çaktivizimin e llogarive, por nuk zotëron as kapacitetet teknike për të realizuar një operacion të tillë.

“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një aludim kaq të paturpshëm vizual? Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe turpit të kundërshtarëve të mi për aq kohë sa kam qenë në politikë. Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që parakalojnë si demokratë europianë, është vërtet për të ardhur keq”, shkruan Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri ngriti gjithashtu dyshimin se pretendimet mund të lidhen me të njëjtat burime që, sipas tij, nxitën të ashtuquajturin “Revolucion Flamingo”, duke i lidhur ato edhe me trazirat në Ceuta.

“Po sikur e gjithë kjo dredhi të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që nxitën të ashtuquajturin ‘Revolucion Flamingo’, shumë prej të cilëve nxitën edhe kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: t’i japim jetë një ‘revolucioni’ që tashmë është shuar”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Rama këmbënguli se qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje me masat e ndërmarra ndaj llogarive në rrjetet sociale.

“Le të jem absolutisht i qartë: ne nuk kemi të bëjmë fare me çaktivizimin ose kufizimin e ndonjë llogarie në mediat sociale, as nuk kemi aftësinë teknike për të kryer një operacion të këtij lloji”, shkroi kryeministri.

Në fund të reagimit, Rama përdori tone të ashpra ndaj autorëve dhe përhapësve të këtyre pretendimeve, duke shkruar: “Turp për të gjithë këtë bandë dështimesh që përhapin gjëra të tilla të pakuptimta”.