Rama mbledh sot ministrat në Pogradec, në fokus bilanci i qeverisë dhe objektivat e mandatit

24 Aug 2026 09:08
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama vijon takimet e punës në Pogradec, këtë herë me ministrat e kabinetit qeveritar, pas mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare.

Takimi i sotëm është konceptuar në formatin e një “retreat” dhe pritet të fokusohet në analizën e punës së deritanishme të qeverisë, si dhe në përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve për vitin e dytë të mandatit të katërt.

Mbledhje të këtij formati janë zhvilluar edhe më herët nga kryeministri Rama, veçanërisht pas përfundimit të sezonit veror, për të bërë bilancin e punës dhe për të përcaktuar axhendën qeverisëse për muajt në vijim.

Reklamë Ola

Një ditë më parë, Rama zhvilloi po në Pogradec një takim disaorësh me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare.

Në qendër të diskutimeve ishin edhe disa prej dokumenteve të prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut. Mes tyre është “Besa”, që lidhet me qasjen e re të Partisë Socialiste gjatë mandatit të katërt dhe vendosjen e problematikave të qytetarëve në fokus të punës politike.

Reklamë InterMedika

Pjesë e diskutimeve ishte gjithashtu “Pasqyrë Albania”, platforma përmes së cilës synohet regjistrimi, ndjekja dhe adresimi në kohë reale i shqetësimeve të qytetarëve.

Pas takimeve në Pogradec, vëmendja politike pritet të zhvendoset drejt fillimit të shtatorit, kur Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare.

Ky forum është përdorur edhe më parë nga socialistët për njoftime të rëndësishme politike, përfshirë ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar.

Takimet vijnë pas një periudhe të ngarkuar politike, të shoqëruar edhe me protesta disamujore pranë Kryeministrisë. Mbledhja me ministrat pritet të përcaktojë prioritetet e qeverisë për fazën e ardhshme të mandatit dhe punën që do të ndiqet gjatë muajve në vijim.