×
Wednesday, December 8, 2021

Rama: 2400 biznese të vogla më shumë se para pandemisë, vijojmë me taksa zero

November 22, 2021

Kryeminstri Edi Rama deklaroi sot, gjatë prezantimit të paketës fiskale para një përfaqësie të biznesit të vogël, se “buxheti i ardhshëm konsolidon një pozicion tanimë të fituar të biznesit të vogël, pasi vazhdojmë të mbajmë një regjim me taksë zero mbi fitimin për të gjitha bizneset e vogla”.

Nga ana tjetër, Rama tha se biznesi i vogël nuk paguan TVSH deri në 10 milionë lekë xhiro.

“Në sjellim në vëmendje ku ishim kur e ndërmorrëm këtë përpjekje në krye të herës, kujtoj se kishim 60 mijë biznese që tatoheshin 10 % sot, ndërsa sot kemi 110 mijë biznese të vogla që tatohen zero. Kjo vlen edhe për t’ju thënë të gjithë atyre që flasin për mbyllje, falimentime, shkatërrime, dhe në radhë të parë atyre që bien pre e kësaj lloj propagande se në terrenin e shifrave, biznesi i vogël është pa diskutim forca më e përkrahur dhe më e mbështetur nga qeveritë tona”, theksoi Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se “edhe pse ishin 60 mijë biznese gjatë periudhës 2006-2013, ato kanë pasuar 19 miliardë lekë tatime”.

Ndërsa nga viti 2014 në vitin 2021, Rama tha se 110 mijë biznese kanë paguar vetëm 5.7 miliardë lekë tatime, ose tri herë më pak.

“Kjo diferencë nuk ka ikur në lumë, por ka hyrë në familjet e këtyre sipërmarrësve të vegjël dhe bëhet fjalë për një diferencë jo të vogël, por për 133 milionë dollarë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi po ashtu një tjetër shifër të rëndësishme, lidhur me rimarrjen e gjithë ritmit nga biznesi i vogël pas mbylljes dramatike nga pandemia.

“Faktikisht, në tetor 2021 kur është bërë edhe numërimi më i fundit, janë 2400 biznese të vogla më shumë se para mbylljes nga pandemia. Patjetër që ka pasur biznese që kanë mbyllur aktivitetin, është normalitet i sistemit, por ka pasur shumë më tepër që janë hapur”, tha Rama.

Ai theksoi se “shifrat tregojnë që bëhet fjalë për 2400 biznese të vogla më shumë, ku me siguri ka luajtur rolin e vet edhe mbështetja që i dhamë bizneseve të vogla gjatë pandemisë, duke u mundësuar një kapërcim të krizës së tmerrshme, pa qenë në kthetrat e falimentimit”.

Rama shtoi se “sot kemi hyrë në një fazë komplet të re për gjithë biznesin, faza e fiskalizimit”.

“Sot kemi 67 % të bizneseve të vogla me certifikatë elektronike dhe 32 % që kanë filluar të lëshojnë fatura të fiskalizuara”, tha ai.

Sipas Kryeministrit, “kjo nuk përkthehet në presion fiskal mbi biznesin, pasi nga biznesi i vogël deri në 100 milionë lekë nuk kërkohet asnjë taksë dhe nuk merret TVSH, por duke u fiskalizuar, biznesi i vogël mbyll të gjitha shtigjet për të mëdhenjtë që ta përdorin si shkarkues të informalitetit të tyre”.

“Fiskalizimi sposton paratë e të mëdhenjve që deri dje shkonin në kanalin e informalitetit, drejt arkës së shtetit. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që jo vetëm arka e shtetit do të ketë një disponim më të madh për të adresuar me më shumë fonde nevojat e të gjitha kategorive shoqërore dhe komuniteteve, por të gjithë do të çlirohen nga makthi i kontrolleve, inspektorëve, arbitraritetit dhe hetimorëve”, tha Rama.

Eunews.al

Comments are closed.