Qeveria mbyll Bordin e Transparencës, Ibrahimaj: Tregu i karburanteve është stabilizuar

19 Jun 2026 11:47
Shpërndaje:

Qeveria ka vendosur ndërprerjen e funksionimit të Bordit të Transparencës, mekanizmit që monitoronte dhe përcaktonte çmimet e karburanteve në tregun vendas.

Vendimi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas saj, situata në tregun e hidrokarbureve është stabilizuar dhe paqartësitë që kishin ndikuar në luhatjet e çmimeve janë reduktuar ndjeshëm.

“Një tjetër vendim që miratuam lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Për këtë arsye, do të ndërpresim funksionimin e Bordit të Transparencës. Kanë qenë muaj me luhatje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve”, deklaroi Ibrahimaj.

Reklamë Ola

Ministrja theksoi se gjatë javëve të fundit çmimet e karburanteve kanë shënuar rënie, ndërsa situata në Lindjen e Mesme është bërë më e qëndrueshme, duke ulur pasiguritë në tregjet ndërkombëtare.

“Në fakt, prej më shumë se dy javësh çmimi ka ardhur duke u reduktuar, situata në Lindjen e Mesme tashmë ka më pak paqartësi. Kjo është edhe arsyeja pse vendosëm ta pushojmë Bordin”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, Ibrahimaj siguroi se institucionet do të vijojnë të monitorojnë nga afër tregun e karburanteve dhe lëvizjet e çmimeve.

“Do të jemi shumë të kujdesshëm të monitorojmë lëvizjet e përditshme të çmimeve”, përfundoi ministrja.