PS i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit/ Ndryshimet kushtetuese bëhen në Kuvend, listat mund të jenë të hapura edhe 100%



Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi me gazetarët, të mërkurën, u shpreh se listat mund të jenë të hapura edhe 100%, ndërsa shtoi se Partia Socialiste është ajo që ka lëshuar më shumë në këtë proces, i cili kurrsesi nuk mund të drejtohet nga opozita që u largua nga Kuvendi.
Sipas Ramës, listat janë të hapura nga minimalisht 2/3 deri në 100%. “Së pari, njëherë ne kemi vendosur një tavan përtej të cilit nuk mund të shkohet. Listat nuk mund të jenë të mbyllura për më shumë se 1/3, por kjo s’do të thotë që listat nuk mund të jenë të hapura 100%. Ama ka një gjë që është po aty dhe nuk ndryshon, duhet garantuar barazia gjinore, përfaqësimi gjinor”, – tha Rama.
“Të jemi realistë, në Shqipërinë e sotme nuk jemi ende në Finlandën apo Danimarkën apo Gjermaninë e sotme. Ky është mendimi im, që është si çdo mendim tjetër i evolueshëm. Edhe Kodi Zgjedhor është një marrëveshje më e vogël se Kushtetuta. Fleksibiliteti është i madh, që partitë mund të vazhdojnë të hapin listat, mund ta çojnë edhe 100%. Kushtetuta do të thotë jo më pak se 2/3”, – tha Rama.
Sipas tij, Kodi nuk bëhet duke llogaritur se kush fiton, por në kushtet që të gjithë janë të barabartë në garë.
“Arsyeja që nuk kemi biseduar me opozitën jashtë Kuvendit për ndryshimet kushtetuese është se këto ndryshime bëhen në Kuvend. Është shumë e thjeshtë. Ajo që juve ju pengon është që juve tani, llogarisni që në Kuvend nuk janë ata që duhen sipas jush, por ata janë, ata janë dhe i ka sjell opozita që është jashtë. Kështu që marrëveshja me opozitën jashtë parlamentare nuk ishte detyrim, s’kishim asnjë detyrim ta bënim”, – thekson Rama.
“Jo vetëm që nuk është e shkruar askund, se s’ka si të shkruhet, por e bëmë me vetëdije marrëveshjen me opozitën jashtë parlamentit. Është një realitet politik që s’mund t’i mohohet, pasi jemi në perëndim, jo në lindje. Për çfarë u bë marrëveshja, për t’i dhënë gjithçka që është e nevojshme për të pasur garanci të gjitha palët në proces. Por që i hapim listat, s’i hapim listat, të presim që të bie dakord Lulzim Basha, është të presim Godonë, pasi nuk ndodh kurrë”, – tha Rama.
“I takon Kuvendit ta bëjë dhe do e bëjë Kuvendi. Të gjithë duhet ta pranojmë këtë se është fakt. Deri tani s’kemi arsye të mendojmë që opozita parlamentare mund ta rrëzojë. Ne do ta çojmë përpara të bindur se është e mira e vendit, se është demokratizuese dhe është në të mirë në të gjitha aspektet. S’ka asgjë të përsosur. Në ëndrrën time më të bukur do doja të isha këtu me të gjitha opozitat, pse më mirë të ishim në selinë e opozitës presidenciale, të binim dakord, e të dilnim të gjithë në fotografi, në distancë sociale. Kjo është një ëndërr shumë e bukur për të qenë e vërtetë. PS është ajo që ka lëshuar më shumë, se na takon të lëshojmë më shumë, por s’mund të lejojmë të drejtojnë procesin ata që kanë ikur nga parlamenti. Nëse marrin votën e popullit të do ndryshojnë pozicionet”, – tha Rama.
Gjithashtu, Rama tha se PD duhet të pranojë realitetin që braktisi parlamentin dhe është pakicë dhe nuk mund të imponojë shumicën.
Ai tha se opozita parlamentare asnjë herë nuk e ka thënë që e pranon marrëveshjen e 5 qershorit.
“Vetë Rudina Hajdari sapo ka dalë ka thënë që nuk do ta votojë marrëveshjen e 5 qershori. Nuk jam i surprizuar nga ajo që ka ndodhur sot, as Myslim Murrizi që thotë ndaje mendjen këndej apo andej, sepse unë nuk kam dalë për t’u bërë më njërin as me tjetrin. PS është më e madhja dhe udhëheq, nuk zgjedh me kë do shkojë që të gjejë një strehë. Por nuk funksionon o këndej apo andej, ne jemi qendra e gravitetit të politikës shqiptare dhe qendra e graviteti nuk shkon andej dhe këndej, por mundohet që të pajtojë sa më shumë të tjerët rreth një qëllimi apo një objektivi dhe prandaj është e rëndësishme që edhe PD dhe grupimi jashtëparlamentarë të pranojnë realitetin, është një realitet që është i imponuar nga vullneti i popullit, janë pakicë. Dhe sa më shumë sillen si shumicë, aq më pak shanse kanë të bëhen shumicë, sepse pakica duhet të mbrohet me të gjithë dinjitetin e vet, por jo t’i imponohet shumicës me dogma dhe me dokrra. Dhe po një realitet i krijuar prej tyre se ikën nga parlamenti. Po të ishte puna për perspektivën europiane nuk e kanë shokun në Europë. Është e para opozitë që braktisi parlamentin dhe u shkri farë”, – tha ai.
Rama shtoi se “ne do të bëjmë më të mirën për vendin dhe natyrisht që marrëveshjes së 5 qershorit ne i qëndrojmë, se mendojmë se është një kontribut për vendin”.
Eunews.al

