Përplasje në Komisionin e Jashtëm për deklaratën e ministres serbe, Hasani: Nuk bashkohem me ju, aleatët e Millosheviçit dhe Vuçiçit

20 Jul 2026 14:32
Shpërndaje:

Deklaratat e ministres serbe për Integrimin Evropian, Snezhana Paunoviç, lidhur me Kosovën, shkaktuan debat në mbledhjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan që Komisioni të miratonte një deklaratë dënuese ndaj qëndrimeve të zyrtares serbe, duke i cilësuar ato si nxitëse të ideologjive të spastrimit etnik dhe si përpjekje për të relativizuar krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi mazhorancën për mungesë reagimi dhe i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë masa diplomatike ndaj Serbisë, përfshirë shpalljen e Paunoviç si person “non grata”, thirrjen e ambasadorit serb në Tiranë dhe dorëzimin e një note zyrtare proteste.

Reklamë Ola

“Kur sulmohet historia e Kosovës, kur relativizohen krimet e regjimit të Millosheviçit dhe justifikohet spastrimi etnik i shqiptarëve, Shqipëria nuk mund të heshtë.

Ne kërkojmë shpalljen e saj non grata, inicimin e procedurave ligjore dhe një reagim diplomatik nga qeveria shqiptare.

Reklamë InterMedika

Po kështu, i kërkojmë qeverisë të thërrasë ambasadorin e Serbisë për t’i paraqitur një notë zyrtare proteste”, deklaroi Vokshi.

Ajo propozoi gjithashtu që Komisioni të miratonte një deklaratë të përbashkët, në të cilën të dënoheshin deklaratat e ministres serbe, të shprehej solidaritet me Republikën e Kosovës dhe t’i kërkohej qeverisë shqiptare të ndërmerrte hapat e nevojshëm diplomatikë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se qëndrimi i mazhorancës socialiste ishte bërë tashmë publik përmes reagimeve të kryeministrit, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe drejtuesit të grupit parlamentar socialist.

Hasani kundërshtoi kërkesën për një deklaratë të veçantë të Komisionit dhe refuzoi ta hidhte atë në votim.

“Mazhoranca socialiste, siç e thashë, është shprehur përmes kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe kryetarit të grupit parlamentar.

Unë nuk kam asnjë dëshirë t’ju bashkohem juve, aleatëve të Millosheviçit dhe Vuçiçit, për asnjë deklaratë.

Nuk hedh asgjë në votim”, u shpreh Hasani.

Pas debatit, Komisioni vijoi punimet me shqyrtimin dhe miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës, si edhe me votimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme.