Norvegjia sekuestron anijen ruse me kërkesë të Naftogaz, kërkohet shlyerja e 4.22 miliardë dollarëve

03 Sep 2026 08:30
Shpërndaje:

Autoritetet norvegjeze kanë sekuestruar anijen ruse të pasagjerëve “Professor Molchanov” pranë ishullit arktik të Svalbardit, pas një kërkese të kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë Naftogaz.

Masa lidhet me përpjekjet e kompanisë ukrainase për të zbatuar një vendim arbitrazhi që e detyron Rusinë të paguajë 4.22 miliardë dollarë kompensim për atë që Naftogaz e cilëson si “sekuestrim të paligjshëm” të aseteve të saj pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

“Ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt drejtësisë pas sekuestrimit të paligjshëm të aseteve të Naftogaz në Krime nga Rusia”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i përkohshëm i kompanisë, Sergei Fedorenko.

Reklamë Ola

Ai bëri të qartë se kompania ukrainase synon të vazhdojë kërkimin dhe identifikimin e aseteve ruse në vende të ndryshme për të siguruar ekzekutimin e vendimit.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë asetet ruse në të gjithë botën deri në pagesën e plotë të kompensimit që i është dhënë Naftogaz dhe kompanive të tjera të grupit”, shtoi Fedorenko.

Reklamë InterMedika

Sipas Naftogaz, sekuestrimi i anijes u urdhërua më 31 gusht 2026 nga një gjykatë norvegjeze, me qëllim sigurimin e pagesës së shumës së detyruar nga Rusia, së bashku me interesat dhe kostot e tjera të lidhura me çështjen.

Anija “Professor Molchanov” ndodhet e ankoruar në Barentsburg, qytet minerar në arkipelagun e Svalbardit.

Sekuestrimi është konfirmuar edhe nga policia lokale. Oficeri i policisë Håkon Finstad deklaroi se autoritetet kishin marrë një urdhër gjykate për sekuestrimin paraprak të anijes dhe e kishin ekzekutuar atë në Barentsburg.

“Policia e Svalbardit ka marrë një urdhër gjykate për sekuestrimin paraprak të anijes Professor Molchanov dhe ka kryer sot sekuestrimin në Barentsburg”, tha Finstad.

Naftogaz e konsideron veprimin në Norvegji pjesë të një strategjie më të gjerë për të identifikuar dhe sekuestruar asetet ruse jashtë vendit, me synimin për të siguruar kompensimin e plotë të përcaktuar nga arbitrazhi.