Meloni: Shengen mund të ruhet vetëm duke mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së

07 Sep 2026 22:22
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se zona Shengen, e cila garanton lëvizjen pa kontrolle në kufijtë e brendshëm, mund të ruhet vetëm nëse Bashkimi Europian arrin të mbrojë në mënyrë efektive kufijtë e tij të jashtëm.

Meloni i bëri deklaratat pas takimit me kryeministrin belg Bart De Wever në Palazzo Chigi në Romë, ku ndër temat e diskutuara ishte edhe menaxhimi i flukseve të emigrantëve dhe situata e krijuar gjatë muajve të fundit.

“Unë ende besoj fuqimisht se zona Shengen mund të ruhet vetëm nëse kufijtë e jashtëm të Unionit mbrohen dhe nëse të gjithë kontribuojnë në luftën kundër kontrabandistëve”, deklaroi Meloni.

Reklamë Ola

Kryeministrja italiane theksoi se zhvillimet e fundit kanë treguar edhe një herë nevojën që Europa të jetë në gjendje t’u përgjigjet krizave të emigracionit. Sipas saj, të gjitha vendet anëtare duhet të bëjnë pjesën e tyre në luftën kundër trafikantëve dhe emigracionit të paligjshëm në masë.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh mes Italisë dhe Spanjës lidhur me zbatimin e rregullave të Shengenit pas krizës së emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës.

Reklamë InterMedika

Italia vendosi të zgjasë me 15 ditë kontrollet e përkohshme kufitare për udhëtarët që mbërrijnë nga Spanja në rrugë ajrore dhe detare, duke argumentuar se situata në Ceuta ende nuk është normalizuar. Madridi u përgjigj duke zgjatur, në mënyrë reciproke, kontrollet ndaj udhëtarëve që mbërrijnë nga Italia.

Qeveria italiane ka argumentuar se masa lidhet me nevojën për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar rreziqet që mund të lidhen me emigracionin e parregullt, ndërsa autoritetet italiane kanë shprehur shpresën që zgjatja aktuale e kontrolleve të jetë e fundit.

Nga ana tjetër, Meloni këmbënguli se ruajtja e lëvizjes së lirë brenda zonës Shengen duhet të shoqërohet me një kontroll më të fortë të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian dhe me bashkëpunim më të madh mes vendeve anëtare për menaxhimin e emigracionit.