Marrëveshja LVV-LDK për Bekim Sejdiun, analistët paralajmërojnë: Ende nuk ka garanci për zgjedhjen e Presidentit

01 Sep 2026 09:36
Shpërndaje:

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës është vlerësuar si një zhvillim pozitiv pas një periudhe të gjatë bllokade institucionale. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ende ekzistojnë pengesa politike dhe juridike që mund ta vështirësojnë zbatimin e marrëveshjes.

Sejdiu, gjatë prezantimit të tij si kandidat për president më 31 gusht, deklaroi se e kishte pranuar kandidaturën duke marrë parasysh situatën politike dhe institucionale në të cilën ndodhet Kosova.

Vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare në qershor, pas mungesës së konsensusit mes partive për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke shënuar zgjedhjet e treta që nga shkurti i vitit 2025.

Reklamë Ola

Analisti Agon Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë se pas rreth dy vjetësh bllokade institucionale dhe paralize politike, arritja e një konsensusi mes LVV-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit duhet përshëndetur. Megjithatë, ai paralajmëroi se “nuk ka vend për entuziazëm të tepruar”, pasi marrëveshja mund të përballet me probleme gjatë zbatimit.

Ndryshe e sheh procesin analisti Dritëro Arifi, i cili kritikoi mungesën e transparencës gjatë negociatave mes dy partive.

Reklamë InterMedika

“I gjithë procesi ka qenë në terr informativ, sikur të ishin dy kompani private duke negociuar për një tender apo për një projekt”, deklaroi Arifi për REL.

Sa i përket kandidaturës së Bekim Sejdiut, Maliqi vlerëson se profili i tij profesional përputhet me përgjegjësitë e kreut të shtetit, duke veçuar përvojën e tij në diplomaci dhe drejtësi. Por sipas tij, mbetet për t’u parë se si Sejdiu do të përballej me presionet dhe betejat politike që shoqërojnë postin e Presidentit.

“Nuk dihet nëse ai do të jetë dikush që do të mund të përballet me presionet e një pushteti ekzekutiv, i cili ka treguar tendencë dominimi dhe i cili nga të gjitha institucionet kërkon nënshtrim, duke qenë se ai nuk e ka një parti prapa vetes, edhe pse vjen, kushtimisht thënë, nga orbita e LDK-së”, tha Maliqi.

Edhe Arifi ngriti pikëpyetje mbi kandidaturën, duke argumentuar se një profil i fortë profesional dhe akademik nuk është domosdoshmërisht garanci për aftësinë për të ushtruar një funksion të lartë politik.

“Bekim Sejdiu mund të jetë njeri i shkëlqyeshëm, akademik i shkëlqyeshëm, por kjo nuk e bën politikan të shkëlqyeshëm”, deklaroi ai.

Sipas Arifit, kandidati duhet të bëjë publike qëndrimet e tij për disa prej çështjeve kryesore strategjike të Kosovës, përfshirë projektet rajonale të gazit të mbështetura nga SHBA-ja, dialogun strategjik me Uashingtonin dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Një prej pengesave kryesore për zgjedhjen e Sejdiut mund të jenë edhe dallimet brenda vetë LDK-së dhe sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend. Maliqi vlerëson se çështja e numrave e vendos partinë në një situatë të vështirë dhe mund ta detyrojë të kërkojë mbështetje edhe përtej grupit të saj parlamentar.

Sipas tij, megjithatë, ekziston edhe një pikëpyetje juridike lidhur me vetë procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Problemin më të madh nuk e shoh te numrat sa e shoh te mundësia e zhvlerësimit të procesit nga Gjykata Kushtetuese, meqë për momentin me këtë Kuvend jemi në një situatë të paqartë juridike”, deklaroi Maliqi.

Debati lidhet me afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar në një aktgjykim të mëparshëm se organi ligjvënës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat është tejkaluar, ndërsa LVV argumenton se afati duhet të llogaritet nga 6 gushti, kur nisi seanca konstituive. PDK dhe Aleanca, nga ana tjetër, pretendojnë se afati kushtetues është shkelur.

Arifi sheh si një tjetër problem të mundshëm edhe kundërshtimet brenda LDK-së, veçanërisht nga deputetët që kanë qenë kritikë ndaj qeverisjes së Albin Kurtit.

“Është arritur një marrëveshje vetëm për të akomoduar një zyrë, një person dhe për t’ia vazhduar qeverisjen Kurtit, pa asnjë qëndrim politik dhe institucional të LDK-së”, vlerësoi ai.

Në rast se Sejdiu nuk arrin të zgjidhet në tri rundet e votimit dhe as ndonjë kundërkandidat nuk siguron votat e nevojshme, Kushtetuta e Kosovës parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Maliqi vlerëson se në një skenar të tillë zgjedhjet e parakohshme do të ishin praktikisht të pashmangshme, ndërsa Arifi paralajmëron se një dështim i ri do ta komplikonte edhe më shumë situatën institucionale dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

LVV fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, llogarit të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Situata është më komplekse për zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 ulëse. Nëse votave të LVV-së dhe partnerëve të saj u shtohen 18 deputetët e LDK-së, në sallë mund të sigurohet pragu i nevojshëm për zhvillimin e procesit.

Megjithatë, mbështetja brenda LDK-së nuk është ende plotësisht e garantuar. Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka dalë publikisht kundër kandidaturës së Sejdiut.

PDK dhe Aleanca kanë deklaruar më herët se do të qëndrojnë në opozitë, ndërsa kjo e fundit ka paraqitur gjashtë kushte, përmbushja e të cilave do ta shtynte të jepte shtatë votat e saj për formimin e institucioneve.

Kandidatura e përbashkët e Bekim Sejdiut erdhi pas disa raundesh negociatash mes LVV-së dhe LDK-së. Bisedimet nisën fillimisht për mundësinë e bashkëqeverisjes, por pasi kjo përpjekje dështoi, negociatat u përqendruan te gjetja e një emri konsensual për kreun e shtetit.

Nëse arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend, Bekim Sejdiu do të bëhet Presidenti i gjashtë i Kosovës.