Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë të mërkurën në Pallatin Élysée eurodeputetët e grupit Renew Europe, në një takim që pritet të fokusohet tek e ardhmja e qendrës politike europiane dhe rritja e forcave të së djathtës radikale.
Takimi vjen vetëm pak ditë pas fitores historike të Alternativës për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e së dielës në landin e Saksonisë-Anhalt, rezultat që ka shtuar shqetësimet mes forcave proeuropiane për zhvillimet politike në Gjermani dhe Francë.
Renew Europe ka konfirmuar takimin, duke bërë të ditur se eurodeputetët do të zhvillojnë me Macron “një shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore europiane dhe globale në axhendë”.
Megjithatë, një zyrtar i Renew tha se mes eurodeputetëve po rritet shqetësimi për mundësinë që partitë e së djathtës radikale të marrin pushtetin në dy prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian, Gjermani dhe Francë.
Në Francë, vëmendja është përqendruar te zgjedhjet presidenciale të pranverës së vitit 2027, ku Marine Le Pen kryeson ndjeshëm në sondazhe.
“Proeuropianët janë të shqetësuar për atë që do të ndodhë pas Macron, sepse e njohin vizionin dhe ambicien e tij për Europën”, deklaroi zyrtari.
Një prej çështjeve kryesore të takimit pritet të jetë pikërisht e ardhmja politike e Macron. Presidenti francez nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi dhe do të largohet nga Élysée në maj të vitit 2027.
Macron, 48 vjeç, ka dhënë pak sinjale për planet e tij pas përfundimit të mandatit, megjithëse ka lënë të hapur mundësinë e një rikandidimi për Presidencën franceze në vitin 2032, kur do të ketë sërish të drejtën për të hyrë në garë.
“Eurodeputetët do ta pyesin Presidentin për të ardhmen e tij politike. Shumë prej tyre do të donin ta shihnin duke luajtur një rol në nivel europian”, tha zyrtari i Renew.
Brenda grupit ka shqetësime edhe për të ardhmen e lëvizjes centriste të ndërtuar rreth Macron, pasi Presidenti ka deklaruar se synon të përqendrohet në detyrën e tij deri në ditën e fundit të mandatit. Në maj, ai u shpreh se do të “mendojë për atë që vjen më pas” vetëm pas përfundimit të presidencës.
Përveç zhvillimeve politike në Francë dhe Gjermani, takimi në Paris do të trajtojë edhe fjalimin e ardhshëm të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për Gjendjen e Unionit, buxhetin shumëvjeçar të BE-së, kufizimet ndaj rrjeteve sociale, masat për favorizimin e produkteve dhe kompanive europiane, si dhe luftën në Ukrainë.
Takimi zhvillohet në një moment delikat për forcat e qendrës politike në Europë, ndërsa rezultati i AfD-së në Gjermani dhe afrimi i zgjedhjeve presidenciale franceze kanë shtuar debatin për mënyrën se si kampi proeuropian do të përballet me forcimin e së djathtës radikale.


