Jared Kushner, i dërguari special dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, zhvilloi bisedime në El Alamein me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, të përqendruara në zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Sipas presidencës egjiptiane, gjatë takimit u theksua nevoja që të gjitha palët të respektojnë detyrimet e marra në kuadër të armëpushimit, me synim ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e procesit të paqes.
Paralelisht, një delegacion i Hamasit, i udhëhequr nga Khalil al-Hayya, zhvilloi takime në El Alamein me kreun e Inteligjencës Egjiptiane, Hassan Rashad. Sipas agjencisë shtetërore egjiptiane MENA, bisedimet u fokusuan në mënyrat për të çuar përpara planin amerikan për paqen në Gaza.
Delegacioni i Hamasit përsëriti angazhimin për mbështetjen e planit të presidentit Trump, ndërsa një zyrtar i lëvizjes deklaroi se diskutimet kishin për qëllim bindjen e Izraelit për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit dhe për të nisur zbatimin e hartës rrugore me 15 pika. Hamasi synon gjithashtu t’u paraqesë ndërmjetësuesve egjiptianë ato që i cilëson shkelje të armëpushimit nga Izraeli.
Në fund të korrikut, Hamasi miratoi planin amerikan me 15 pika për Gazën, i cili parashikon nisjen e fazës së dytë të planit të administratës Trump, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e forcave izraelite nga enklava palestineze.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar planin, duke kërkuar atë që e ka cilësuar si “çarmatim të vërtetë të Hamasit”.
Sipas burimeve, Jared Kushner pritet të vizitojë Izraelin javën e ardhshme në një përpjekje për të zbutur mosmarrëveshjet mes palëve dhe për të çuar përpara procesin diplomatik. Ndërkohë, Hamasi konfirmon se kontaktet me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë po vazhdojnë për të ushtruar presion diplomatik ndaj Izraelit për zbatimin e plotë të marrëveshjes.


