Karakaçi takon ministrin irlandez: Bashkëpunim për energjinë, aviacionin dhe integrimin në BE

16 Jul 2026 09:10
Shpërndaje:

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zhvilloi një takim me ministrin irlandez për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin, Darragh O’Brien, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Irlandës në sektorë me interes të përbashkët.

Karakaçi bëri të ditur se gjatë takimit vëmendje të veçantë iu kushtua potencialit të energjisë së rinovueshme, veçanërisht zhvillimit të sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri. Ai vlerësoi përvojën e Irlandës në këtë fushë, duke e cilësuar vendin një partner me ekspertizë të rëndësishme për Shqipërinë.

Ministrat diskutuan gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit civil, duke u ndalur te përvoja irlandeze dhe roli i kompanisë Ryanair në tregun evropian, përfshirë edhe aktivitetin e saj në Shqipëri.

Reklamë Ola

Gjatë bisedës u trajtua edhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Karakaçi vlerësoi mbështetjen e Irlandës për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, si dhe rëndësinë e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së në avancimin e prioriteteve të përbashkëta evropiane.

Ministri Karakaçi ndodhet në Nju Jork, ku po merr pjesë në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm (HLPF), që zhvillohet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Reklamë InterMedika