×
Wednesday, June 3, 2026

Ibrahimaj: Po ndërtojmë një model të unifikuar digjital mes shtetit dhe bankave

June 3, 2026


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po punon për krijimin e një modeli të unifikuar ndërveprimi mes institucioneve shtetërore dhe sektorit bankar, me qëllim thjeshtimin e procedurave për qytetarët dhe bizneset, reduktimin e burokracive dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale.

Deklarata u bë gjatë workshop-it “Digjitalizimi, shërbimet publike dhe bankat tregtare”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, ku morën pjesë përfaqësues të sektorit bankar, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë aktivitetit u diskutuan hapat e ardhshëm për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe bankave tregtare, me fokus në krijimin e një ekosistemi më efikas dhe tërësisht digjital për ofrimin e shërbimeve.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se objektivi kryesor është lehtësimi i ndërveprimit të qytetarëve dhe bizneseve me administratën publike, përmes integrimit të sistemeve shtetërore me ato bankare.

“Në workshop-in ‘Digjitalizimi, shërbimet publike dhe bankat tregtare’, diskutuam me përfaqësuesit e sektorit bankar dhe AKSHI-t hapat e mëtejshëm për ta bërë ndërveprimin e qytetarëve dhe bizneseve me shërbimet publike edhe më të thjeshtë, më të shpejtë dhe plotësisht digjital”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, një nga nismat kryesore është krijimi i një mekanizmi të centralizuar që do t’u mundësojë bankave akses në të dhënat shtetërore pa pasur nevojë për marrëveshje të veçanta me secilin institucion publik.

“Po ndërtojmë një model të unifikuar ndërveprimi, ku bankat të kenë mundësi të qasen te të dhënat shtetërore nëpërmjet një mekanizmi të centralizuar. Një qasje e tillë do të përshpejtonte ndjeshëm ofrimin e shërbimeve dhe do të reduktonte procedurat administrative për qytetarët”, deklaroi Ibrahimaj.

Një tjetër element i rëndësishëm i diskutimeve ishte avancimi drejt parimit “vetëm një herë”, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë më nevojë të paraqesin të njëjtin dokument në institucione të ndryshme publike apo private.

Në këtë kuadër, u diskutua mundësia që bankat, me autorizimin e klientëve dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, të marrin automatikisht dokumentet elektronike të gjeneruara nga institucionet shtetërore përmes regjistrave përkatës.

Ministrja nënvizoi se kjo qasje do të reduktojë kohën e pritjes, dokumentacionin fizik dhe kostot administrative për qytetarët dhe bizneset, duke rritur njëkohësisht efikasitetin e shërbimeve.

“Së bashku me sektorin bankar dhe institucionet publike po ndërtojmë fazën e ardhshme të transformimit digjital, me më shumë shërbime të integruara, më pak burokraci dhe një eksperiencë më të thjeshtë për qytetarët dhe bizneset”, tha ajo.

Gjatë workshop-it u diskutua gjithashtu zgjerimi i pagesave elektronike për shërbimet publike, përdorimi i pagesave të menjëhershme (instant payments) dhe rritja e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesës në administratën publike.

Autoritetet vlerësojnë se këto masa do të kontribuojnë në modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet shtetërore dhe financiare.




Comments are closed.