Pas një ndërprerjeje prej 14 vitesh, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rikthyer në Tiranë, duke mbledhur së bashku qindra artistë, nga emrat e njohur të kinematografisë shqiptare deri te kineastët e brezit të ri.
Nata e hapjes u shoqërua me emocione dhe momente nostalgjie, ndërsa një pjesë e rëndësishme e ceremonisë iu kushtua figurave që kanë dhënë kontribut në historinë e filmit shqiptar.
Mes emrave të nderuar me Çmime Karriere ishin Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, së bashku me figura të tjera të kinematografisë shqiptare.
Megjithatë, ceremonia e hapjes u shoqërua edhe me polemika pas një lapsusi të organizatorëve. Gjatë një momenti kushtuar regjisores së njohur Xhanfize Keko, në ekran u shfaq për disa sekonda fotografia e poetes Natasha Lako.
Për gabimin kërkoi publikisht ndjesë drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka.
Ngjarja solli reagimin e regjisorit Mevlan Shanaj dhe bashkëshortes së tij, Natasha Lako, të cilët shprehën pakënaqësinë e tyre përmes një reagimi publik, ku e cilësuan festivalin “obobo, kjo mynxyrë”.
Shanaj dhe Lako shprehën gjithashtu pakënaqësi lidhur me mënyrën e ndarjes së 16 Çmimeve të Karrierës gjatë këtij edicioni.
Pavarësisht debatit të krijuar pas ceremonisë së hapjes, festivali vijon me programin e tij, që përfshin shfaqje filmash, debate dhe takime mes brezave të ndryshëm të kineastëve shqiptarë.
Edicioni jubilar i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar do të përfundojë më 12 shtator, kur gjatë mbrëmjes finale pritet të ndahen edhe çmimet kryesore të konkurrimit


