Banka Botërore: Turizmi, sektori me potencialin më të madh për vende të reja pune në Shqipëri

02 Sep 2026 14:20
Shpërndaje:

Turizmi vlerësohet si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të reja të punës në Shqipëri, ndërsa diversifikimi i ofertës turistike shihet si një mundësi për të zgjeruar punësimin përtej sezonit veror dhe në të gjithë territorin e vendit.

Vlerësimi vjen nga gjetjet e anketës “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report” të Bankës Botërore, në të cilën morën pjesë 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile.

Sipas raportit, përveç turizmit, potencial të rëndësishëm për punësim dhe zhvillim ekonomik kanë bujqësia dhe agro-përpunimi, teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale, energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi dhe industria e lehtë.

Reklamë Ola

Në sektorin e turizmit, zhvillimi i agroturizmit, turizmit kulturor dhe historik, si dhe turizmit të aventurës, konsiderohet një mundësi për të zgjatur sezonin turistik dhe për të krijuar vende pune gjatë gjithë vitit.

Edhe bujqësia dhe agro-përpunimi vlerësohen si sektorë me potencial të konsiderueshëm. Zgjerimi i aktiviteteve me vlerë të shtuar, përpunimit, eksporteve, magazinimit dhe paketimit mund të krijojë mundësi të reja punësimi, veçanërisht në zonat jashtë qendrave të mëdha urbane.

Reklamë InterMedika

Një vlerësim pozitiv jepet edhe për teknologjinë e informacionit dhe shërbimet digjitale, të cilat konsiderohen me potencial për krijimin e vendeve të kualifikuara të punës dhe zhvillimin e aktiviteteve të orientuara drejt eksporteve.

Në listën e prioriteteve për zhvillimin e Shqipërisë, bujqësia dhe siguria ushqimore renditen të parat, të përzgjedhura nga 49% e të anketuarve. Arsimi renditet pas tyre me 47%, ndërsa shëndetësia është përzgjedhur nga 36% e pjesëmarrësve.

Krijimi i vendeve të punës konsiderohet prioritet nga 34% e të anketuarve, ndërsa infrastruktura digjitale është përzgjedhur nga 32%.

Gjetjet evidentojnë potencialin e ekonomisë shqiptare për të krijuar më shumë vende pune përmes investimeve në sektorë me vlerë të shtuar, digjitalizimit dhe diversifikimit të turizmit.

Banka Botërore ka vendosur krijimin e më shumë vendeve të punës, forcimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike në fokus të strategjisë së saj për mbështetjen e Shqipërisë.