ksperti i medieve sociale Blerim Gjeladini ka reaguar lidhur me pretendimet se qeveria shqiptare ka mbyllur disa llogari në Instagram, duke theksuar se asnjë shtet nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në sistemet e platformës për të mbyllur llogari të caktuara.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjeladini shprehet se është e gabuar të thuhet se qeveria ka mbyllur llogari në Instagram, por edhe se shteti shqiptar nuk ka kapacitet ta bëjë një gjë të tillë, pasi sipas tij, një mundësi e tillë nuk i jepet asnjë qeverie.
Ai shpjegon se një qeveri mund të tentojë të bllokojë një platformë të tërë në territorin e saj, por nuk mund të hyjë në Instagram dhe të vendosë se cilat llogari do të mbyllen.
Sipas Gjeladinit, mbyllja e llogarive mund të lidhet me shkelje të politikave të platformës, përfshirë aktivitetin e koordinuar joautentik (CIB), përdorimin e profileve false, bot-eve apo metodave artificiale për rritjen e reagimeve, shikueshmërisë dhe ndikimit. Ai përmend gjithashtu shkeljet e të drejtave të autorit, privatësisë dhe rregullave të tjera të platformës.
Gjeladini thekson se, me zhvillimin e inteligjencës artificiale, këto aktivitete mund të identifikohen më shpejt nga platformat.
“Po të kishte një qeveri mundësi të hynte direkt në sistemet e Instagramit dhe të mbyllte llogari me sustë, kjo do të ishte skandal botëror, çështje sigurie globale dhe çështje besimi te platforma”, shprehet ai.
Reagimin e plotë të ekspertit e ka publikuar në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, bashkë me foton e tretë të postimit të Gjeladinit, ku shfaqet një fotografi e kryeministrit Edi Rama, e shoqëruar me diçiturën: “Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë” duke e shoqëruar me një koment ironik: “Tani le ta bëjnë edhe këtë patronazhist”.


