Efektet ekonomike në BE për shkak të konfliktit ruso-ukrainas



Nuk duhet të kemi asnjë iluzion. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, ekonomia botërore, por veçanërisht ajo evropiane, ka hyrë në një regjim lufte, shkruan Lucrezia Reichlin, në një analizë për ”Corriere della sera”.
Ky regjim duhet t’i mbijetojë edhe një kompromisi të dëshirueshëm, megjithëse jo të afërt, në nivel politik dhe ushtarak. Nuk bëhet fjalë për të konceptuar një përgjigje disamujore, por për një organizim për të mbijetuar në një kuadër të ri gjeopolitik.
Kjo ndryshon gjithçka për politikën energjetike, qeverisjen ekonomike të Bashkimit Evropian, marrëdhëniet mes shtetit dhe sipërmarrjes private.
Lufta mund të zgjasë shumë, por edhe nëse gjendet një kompromis i përkohshëm, konflikti endemik me Rusinë do të zgjasë dhe kjo do të ndikojë në ekonominë evropiane përmes kanaleve të ndryshme.
- Së pari nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë dhe riorganizimit strategjik të furnizimit të saj,
- Së dyti, përmes fluksit të refugjatëve,
- Së treti përmes përshkallëzimit të pashmangshëm të shpenzimeve ushtarake. Fakti që tregtia midis Rusisë dhe Evropës është relativisht e kufizuar, në këtë kuptim, është pak komod.
Efekti i menjëhershëm i luftës është një rritje radikale e çmimeve të lëndëve të para, që i ka dhënë një shtysë të mëtejshme inflacionit.
Tregu, i cili deri javën e kaluar shihte inflacion në eurozonë në një horizont pesëvjeçar, të qëndrueshëm në rreth 2%, tani vlerësohet në 3%, ndërsa në një horizont njëvjeçar parashikohet në 5%, si në SHBA.
Këto shifra tregojnë se skenari inflacionist do të vazhdojë me kalimin e kohës. Për më tepër, me një rritje të kostos së lëndëve të para, një ngadalësim ekonomik në gjysmën e dytë të vitit është shumë i mundshëm. E gjithë kjo ndodh përballë presionit të mëtejshëm mbi financat publike si për shkak të kostos së pritjes së refugjatëve – të cilat tani janë më shumë se një milion dhe që vlerësohet të përfshijnë një kosto prej 30 miliardë vetëm për këtë vit – ashtu edhe për shkak të rritjes së shpenzimeve ushtarake, që vlerësohen të jenë rreth 40 miliardë në vit për të gjithë BE-në.
Vetëm mendoni se Gjermania, në një përmbysje spektakolare të politikës së jashtme, ka shpallur një fond për shpenzime ushtarake prej 100 miliardë lekësh që do të financohen nga borxhi. Kësaj i shtohet edhe kostoja e rikalibrimit të politikës energjetike.
Ne po përballemi me një situatë të re ekonomike që do të kërkojë një kapacitet të madh strategjik të Evropës për ta përballuar atë.
Le të fillojmë me energjinë.
Për momentin, pavarësisht sanksioneve dhe në veçanti vendimit radikal për ngrirjen e rezervave të Bankës Qendrore Ruse, ne vazhdojmë të blejmë gaz nga Rusia dhe më pas ta kthejmë atë në monedhë të fortë. Sanksionet synojnë stokun e rezervave në dispozicion të Rusisë dhe jo rrjedhën.
Me rreth 100 miliardë dollarë fluks vjetor, Rusia do të vazhdojë të jetë në gjendje të rifinancojë borxhin e saj në të ardhmen e afërt. Prandaj, përshkallëzimi i luftës ka të ngjarë të kërkojë masën shtesë të ngrirjes së importeve. Kjo sigurisht që do të kishte pasoja të forta në ekonominë evropiane. Por edhe pa bllokadë, në situatën e re gjeopolitike, Evropa do të duhet të rishikojë strategjinë e saj energjetike për të reduktuar varësinë nga Rusia.
Kjo do të kërkojë masa që përmbajnë kërkesën, një qasje strategjike për të siguruar një furnizim më të madh të gazit të lëngshëm, veçanërisht nga SHBA, një rritje në kapacitetin e magazinimit dhe politikat e mbrojtjes së konsumatorit.
Edhe një herë, siç e kemi parë për krizën financiare dhe Covid-19, nuk do të jetë e mundur që shtetet anëtare të veprojnë të vetme. Rreziku do të ishte konkurrenca me shumën zero e cila do të kishte si pasojë një rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.
Por, jo vetëm kaq, pasi është e vështirë të mendosh se zgjidhjet e tregut janë të mjaftueshme. Magazinimi me çmimet e sotme është i shtrenjtë dhe i rrezikshëm për kompanitë private. Prandaj do të ketë nevojë jo vetëm për koordinim në nivel evropian, por edhe për ndarjen e rrezikut ndërmjet privatit dhe publikut. Ndërhyrja e publikut në treg do të jetë gjithashtu e nevojshme për të kufizuar sasitë me masat e administruara.
Lajmi i mirë është se shumë ekspertë besojnë se është e mundur të zëvendësohet gazi rus i nevojshëm për të mbijetuar dimrin e ardhshëm pa një aktivitet shkatërrues ekonomik ose pa ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Por kjo do të jetë e mundur vetëm me veprime radikale dhe një kapacitet të madh për veprim të përbashkët.
Le të diskutojmë tani instrumentet e politikës ekonomike të nevojshme për të përballuar kuadrin e ri makroekonomik.
Dilema e parë do të jetë për Bankën Qendrore Evropiane.
Jemi përballë asaj që ekonomistët e quajnë goditje oferte si përgjigje ndaj të cilës çmimet dhe sasitë e prodhuara (dhe si rrjedhojë punësimi) lëvizin në drejtim të kundërt. Në këtë rast, një rritje e normave të interesit nuk është shumë efektive si një kontroll inflacioni nëse nuk shkakton një recesion të rëndë, por stabiliteti i çmimeve është objektivi kryesor i BQE-së dhe besueshmëria e saj varet nga aftësia për ta siguruar atë.
Për më tepër, me borxhin e lartë publik në shumë vende, një reduktim i blerjeve të letrave me vlerë publike nga BQE mund të gjenerojë episode të paqëndrueshmërisë në tregun e borxhit sovran dhe të shkaktojë fragmentimin financiar që karakterizoi krizën e borxhit 10 vjet më parë.
Edhe nëse nuk rifusim rregullat e Paktit të Stabilitetit, situata është shumë e rrezikshme.
Kjo kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën Banka Qendrore mund të koordinohet (në lidhje me pavarësinë) me autoritetet buxhetore për të siguruar – nëpërmjet një sërë instrumentesh – kushte të favorshme për rifinancimin e borxhit publik, të politikës fiskale në nivel kombëtar dhe mekanizmave të rinj të përbashkët për furnizimin me energji dhe për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.
Arkitektura e qeverisë ekonomike evropiane nuk përshtatet lehtësisht me këto nevoja.
Për më tepër, vendet e Bashkimit Evropian përballen me këtë situatë me kushte fillestare shumë të ndryshme: nivele të ndryshme të borxhit publik dhe një shkallë të ndryshme varësie nga gazi rus.
Por, ne nuk kemi zgjidhje. Asnjëherë si sot, Bashkimit Evropian nuk i duhet të ruajë kohezionin e nevojshëm për një kapacitet të fortë për veprim strategjik.
Asnjëherë më parë nuk është përballur me një sfidë ekzistenciale, nga e cila do të varet mbijetesa e tij.

