Bashkimi Europian ka reaguar zyrtarisht pas vdekjes së ish-gjeneralit serb Ratko Mladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në deklaratën e zëdhënësit të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (SEAE), BE thekson se konfliktet e armatosura të viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor përbëjnë një nga periudhat më të errëta të historisë së fundit të Europës.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhet në deklaratë.
BE nënvizon se Mladiç ishte një kriminel lufte i dënuar dhe se vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm.
“Ratko Mladiç ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Srebrenicës”, thekson deklarata.
Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi Mladiçin me burgim të përjetshëm në vitin 2017, duke i përshkruar krimet për të cilat ai u shpall fajtor si ndër më të rëndat të njohura për njerëzimin.
Në reagimin e tij, Bashkimi Europian dërgon gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë kundër glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte, mohimit të gjenocidit dhe përpjekjeve për rishkrimin e historisë.
“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore europiane dhe nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratë.
Brukseli thekson se pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të jenë thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për rajonin.
BE rikonfirmon gjithashtu angazhimin për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për pajtim dhe stabilitet rajonal, si dhe në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale të trashëguara nga e kaluara.
Sipas deklaratës, këto zgjidhje duhet të gjenden dhe zbatohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa pajtimi me të kaluarën mbetet një element i rëndësishëm për të ardhmen europiane të rajonit.


