Ambasada Gjermane: Mbyllja e tre kapitujve, hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE

15 Jul 2026 11:00
Shpërndaje:

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka përshëndetur mbylljen e përkohshme të tre kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë një arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit evropian.

Në një reagim në Facebook, përfaqësia diplomatike gjermane mirëpriti rezultatet e Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Bruksel.

“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Reklamë Ola

Sipas ambasadës, mbyllja e këtyre kapitujve dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar më tej në politikat dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke forcuar bashkëpunimin në fusha si kërkimi shkencor, inovacioni, arsimi, kultura dhe siguria ekonomike.

Përfaqësia diplomatike vlerësoi gjithashtu angazhimin e institucioneve shqiptare në procesin e reformave dhe i inkurajoi ato të vijojnë me të njëjtin ritëm për kapitujt e mbetur të negociatave, veçanërisht në fushat themelore që lidhen me sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve.

Reklamë InterMedika

“Konfirmojmë mbështetjen tonë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit, bazuar në meritat e vendit dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara”, përfundon reagimi i Ambasadës Gjermane.