Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se kanë mbetur edhe tre ditë deri në përfundimin e thirrjes për profesionistë dhe të rinj me ide të reja që duan të bëhen pjesë e Rrjetit MIA, nismë e Agjencisë për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u bëri thirrje profesionistëve të komunikimit, medias, teknologjisë, inteligjencës artificiale, videos, dizajnit dhe analizës së të dhënave që të aplikojnë për t’u përfshirë në këtë fazë të re reformimi.
“Edhe tre ditë për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA”, shkroi Rama, duke sqaruar se thirrja u drejtohet të rinjve jo vetëm në moshë, por edhe në mendësi, ekspertëve dhe krijuesve që duan të kontribuojnë në përmirësimin e komunikimit publik.
Thirrja parashikon dy forma angazhimi. Përmes “Puno me ne”, kandidatët mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore, ndërsa “Bashkëpuno me ne” u drejtohet atyre që dëshirojnë të propozojnë një ide, projekt apo zgjidhje për përmirësimin e komunikimit publik.
Sipas Kryeministrit, kërkohen aftësi dhe ide në fusha si komunikimi, media, teknologjia, inteligjenca artificiale, prodhimi i videove, dizajni dhe analiza e të dhënave.
“Nëse je gazetar, krijues, dizajner, programues, ekspert i teknologjisë apo ke qoftë edhe një ide se si mund ta bëjmë komunikimin publik më të mirë, apliko për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA ose bashkëpunëtor i Agjencisë për Media dhe Informim”, shkroi Rama.
Ai theksoi se synimi është të tërhiqen profesionistë me talent, energji dhe ide të reja, duke premtuar një proces përzgjedhjeje të bazuar në meritë.
“Ne kërkojmë talent, energji, ide e mbi të gjitha vullnet për kontribute të reja në komunikimin publik të së nesërmes dhe premtojmë një proces vlerësimi meritokratik të çdo kandidati. Sepse ne duam thjesht më të mirët”, u shpreh Kryeministri.
Rama bëri të ditur gjithashtu se interesi për thirrjen ka qenë i lartë, ndërsa numri i aplikimeve të paraqitura deri tani ka kaluar mbi 100.


