Greqia synon prodhimin e 15 mijë dronëve në vit, Dhendias: Po ndryshon mënyra e luftës

04 Sep 2026 13:05
Shpërndaje:

Greqia synon të trefishojë kapacitetin e saj për prodhimin e dronëve ushtarakë, duke arritur deri në 15 mijë mjete ajrore pa pilot në vit, në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përshtatjes së tyre me mënyrën e re të zhvillimit të luftërave.

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dhendias, e bëri të ditur planin gjatë një vizite në Ksanthi, në krahinën e Trakës pranë kufirit me Turqinë, ku inspektoi njësinë ushtarake përgjegjëse për prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot.

Sipas Dhendias, ushtria greke ka aktualisht kapacitetin për të prodhuar rreth 5 mijë dronë në vit. Me përfundimin e fabrikës së re 309, e cila pritet të përurohet në dhjetor, ky kapacitet parashikohet të trefishohet dhe të arrijë në 15 mijë njësi në vit.

Reklamë Ola

Në këto shifra nuk përfshihet prodhimi i kompanive private që operojnë në industrinë greke të mbrojtjes, çka do të thotë se kapaciteti i përgjithshëm i vendit mund të jetë edhe më i lartë.

Athina e konsideron këtë një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me situatën në fund të vitit 2023. Në atë periudhë, sipas të dhënave të paraqitura nga ministri, Forcat e Armatosura greke dispononin vetëm dy dronë të kategorisë HERON dhe 252 mjete fluturuese të prodhimit industrial, të cilat nuk konsideroheshin mjaftueshëm konkurruese.

Reklamë InterMedika

Dhendias theksoi se luftërat moderne kanë ndryshuar ndjeshëm rolin e dronëve. Sipas tij, këto mjete nuk shërbejnë më vetëm për mbikëqyrje dhe zbulim, por mund të përdoren edhe për operacione sulmuese.

“Dronët na japin mundësi vëzhgimi dhe zbulimi, por edhe mundësi për veprim sulmues. Por kjo nuk mjafton. Ekziston edhe nevoja për të mbrojtur personelin tonë nga mjete të ngjashme që mund të disponojë një vend që kërcënon Greqinë”, deklaroi ministri grek i Mbrojtjes.

Dhendias nuk përmendi ndonjë shtet konkret, por deklaratat e tij marrin një rëndësi të veçantë për shkak se u bënë në Trakë, pranë kufirit me Turqinë, në një moment kur tensionet mes Athinës dhe Ankarasë janë rritur sërish.

Përveç investimeve në dronë dhe sistemet kundër tyre, Forcat e Armatosura greke po ndërtojnë edhe 522 fortifikime të reja. Projekti parashikohet të përfundojë deri në vitin 2030 dhe është pjesë e planit më të gjerë për forcimin dhe modernizimin e mbrojtjes së vendit.

Deklaratat e Dhendias erdhën vetëm një ditë pasi Athina i dorëzoi Ministrisë së Jashtme turke një notë zyrtare proteste për qëndrimet e Ankarasë lidhur me Egjeun dhe për dy parqet detare të shpallura nga Turqia.

Greqia i konsideron pretendimet turke pa bazë ligjore dhe argumenton se parqet e shpallura nga Ankaraja nuk mund të prodhojnë efekte juridike në zonat që Athina i konsideron pjesë të shelfit të saj kontinental.

Tensionet mes dy vendeve janë shtuar edhe pas deklaratave të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili i kërkoi Greqisë t’i japë fund militarizimit të ishujve të Egjeut. Erdoğan paralajmëroi se Turqia “do të bëjë gjithçka që është e nevojshme” për të mbrojtur ato që Ankaraja i konsideron të drejtat e saj.

Në këtë klimë, planet për rritjen e prodhimit të dronëve dhe forcimin e mbrojtjes kundër tyre tregojnë se Athina po e vendos teknologjinë ushtarake pa pilot në qendër të strategjisë së saj të modernizimit të Forcave të Armatosura.