The Guardian: 14 aktivistë dhe studentë serbë u shënjestruan me programe spiunazhi

04 Sep 2026 12:26
Shpërndaje:

Të paktën 14 persona të lidhur me shoqërinë civile në Serbi, përfshirë studentë të angazhuar në lëvizjen protestuese kundër qeverisë, janë shënjestruar me programe të avancuara spiunazhi gjatë këtij viti, në atë që Share Foundation e cilëson si “valën më të madhe të dokumentuar të mbikëqyrjes” në vend.

Sipas “The Guardian”, sulmet u zbuluan gjatë muajit gusht, pasi Apple njoftoi përdorues në 110 vende se mund të kishin qenë objektiv i programeve spiune mercenare.

Një analizë e Citizen Lab ka konstatuar se të paktën një aktivist serb ishte shënjestruar me Pegasus, programi i fuqishëm i spiunazhit i zhvilluar nga kompania NSO Group. Sipas ekspertëve, infektimi i një telefoni me këtë program mund t’i japë sulmuesit qasje të gjerë në pajisje dhe në të dhënat e ruajtura në të.

Reklamë Ola

Share Foundation bëri të ditur se mes personave të shënjestruar gjenden edhe anëtarë të lëvizjes studentore serbe. Kjo lëvizje është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiç, pas protestave që nisën në vazhdën e shembjes së një stacioni treni në vitin 2024.

Megjithatë, deri tani nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt qeverinë e Vuçiçit me sulmin përmes Pegasus ndaj studentit të identifikuar nga hetimi. Programe të tjera spiunazhi të përdorura më parë kundër studentëve serbë, përfshirë NoviSpy, janë lidhur me autoritetet e vendit.

Reklamë InterMedika

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë dhe një nga figurat kryesore të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Ana Brnabić, ka mohuar kategorikisht pretendimet se autoritetet kanë spiunuar studentët.

“Absolutisht jo. Nuk besoj asnjë fjalë që kanë thënë studentët apo Share”, deklaroi Brnabić për Euronews Serbia.

Sipas Share Foundation, vëmendje të veçantë ngre edhe koha kur dyshohet se janë kryer sulmet. Ato lidhen me periudhën e zgjedhjeve lokale të marsit, ndërsa Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për në tetor.

Organizata ngre dyshimin se periudha e zgjedhjeve lokale mund të ketë shërbyer si një lloj prove përpara procesit të ardhshëm elektoral.

“Kjo është vala më e madhe e dokumentuar e mbikëqyrjes në Serbi deri më tani”, deklaroi Andrijana Ristic, këshilltare politike në Share Foundation.

Edhe studiuesi i lartë i Citizen Lab, John Scott-Railton, tha se të dhënat forenzike dhe paralajmërimet e dërguara nga Apple tregojnë për përdorim agresiv të programeve spiune mercenare ndaj personave të lidhur me lëvizjen pro-demokracisë në Serbi, në prag të një cikli të rëndësishëm zgjedhor.

Mes personave të shënjestruar është edhe studentja Milica Popović, e cila i cilësoi sulmet si “mizore”. Ajo tha se mundësia që dikush të kishte hyrë në hapësirën e saj private pa dijeninë e saj e kishte bërë të ndihej e ekspozuar, por theksoi se kjo nuk do ta ndalonte atë dhe as lëvizjen studentore.

Pegasus është një nga programet më të njohura të spiunazhit në botë dhe në të kaluarën është përdorur për të shënjestruar gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe disidentë në vende të ndryshme. Rastet e përdorimit të tij kanë nxitur prej vitesh debate mbi mbikëqyrjen, privatësinë dhe abuzimin me teknologjitë e avancuara të spiunazhit.

NSO Group është kontaktuar për një reagim lidhur me pretendimet e fundit, ndërsa mbetet ende e paqartë se kush qëndron pas të gjitha sulmeve të identifikuara ndaj aktivistëve dhe studentëve serbë.