Refuzimi i gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mbështetur marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President ka nxjerrë në pah një prej përplasjeve më serioze të brendshme në LDK gjatë viteve të fundit.
Përveçse vë në pikëpyetje fatin e marrëveshjes politike, kundërshtimi ka shtuar rrezikun që Kosova të përfundojë sërish në zgjedhje dhe ka hapur debatin mbi unitetin e LDK-së dhe pozicionin e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
Analisti Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, argumenton se ndarja brenda partisë tashmë ekziston, edhe pse nuk është formalizuar.
“LDK-ja tashmë është e ndarë ideologjikisht. Janë evidente dy mënyra të të menduarit politik, të kundërta në aspektin e raportit ndaj përgjegjësisë për trashëgiminë e partisë dhe trajektores së ardhmërisë”, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, Abdixhiku duhej të kishte zhvilluar më parë konsultime me deputetët që kundërshtonin marrëveshjen me LVV-në dhe të kërkonte një kompromis të brendshëm përpara se ajo të bëhej publike.
Edhe analisti Yll Hoxha e sheh situatën si pasojë të një konflikti më të thellë brenda LDK-së. Ai kujton se lidershipi i Abdixhikut është vënë dy herë në provë brenda më pak se një viti.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ku LDK-ja mori 13 për qind të votave dhe doli forcë e tretë, Abdixhiku kërkoi votëbesimin e partisë në janar 2026 dhe arriti ta siguronte atë. Pozicioni i tij u sfidua përsëri në korrik, pas kërkesave të një grupi anëtarësh për dorëheqjen e tij, por ai ruajti drejtimin e LDK-së.
Sipas Hoxhës, megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se këto përplasje nuk janë kapërcyer. Ai argumenton se kundërshtimi i gjashtë deputetëve nuk lidhet vetëm me emrin e Bekim Sejdiut, por përfaqëson edhe një sfidë ndaj lidershipit të partisë.
“Unë nuk jam i sigurt që këto përçarje do ta ndajnë LDK-në, por se do ta dëmtojnë, jam gjithsesi i sigurt. Diçka që mund të jetë në interes të LDK-së po mohohet nga gjashtë deputetët, duke i dhënë primat rivalitetit të brendshëm”, tha Hoxha.
Përplasja tashmë është zhvendosur edhe në publik. Abdixhiku ka deklaruar se me refuzimin e kandidaturës së propozuar nga partia është përcaktuar edhe “fati i vendit – zgjedhje të reja”.
Avdullah Hoti, një prej deputetëve kundërshtues, deklaroi se kandidatura e Sejdiut “nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj”.
Edhe Hykmete Bajrami kundërshtoi marrëveshjen, duke argumentuar se për të është e papranueshme që LDK-ja, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhet pjesë e një marrëveshjeje që, sipas saj, “ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”.
Për zgjedhjen e Presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 prej 120 deputetëve të Kuvendit. Në dy raundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në raundin e tretë kandidati mund të zgjidhet me 61 vota, por në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Nëse Presidenti nuk zgjidhet as në raundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. Pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve, sipas Abdixhikut, vetëm 12 deputetë të LDK-së janë të gatshëm të mbështesin Sejdiun. Edhe duke shtuar deputetët e komuniteteve joserbe që kanë bashkëpunuar me LVV-në, numri mbetet nën pragun e nevojshëm.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë dhe nuk do të mbështesë marrëveshjen me Kurtin, ndërsa Aleanca ka vendosur kushte për mbështetjen e institucioneve.
Abdixhiku ka ashpërsuar tonet ndaj gjashtë deputetëve, duke deklaruar se ata që nuk respektuan vendimin e Kryesisë së LDK-së, “nëse asgjë tjetër, do të duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit”, megjithëse sqaroi se nuk ua kishte kërkuar një veprim të tillë.
Muhaxhiri, megjithatë, argumenton se përgjegjësia për rrezikun e zgjedhjeve të reja nuk mund t’u ngarkohet vetëm gjashtë deputetëve. Sipas tij, përgjegjësi mbajnë edhe LVV-ja dhe vetë Abdixhiku për publikimin e një marrëveshjeje pa pasur të garantuar mbështetjen e nevojshme.
Nëse Kosova shkon drejt një procesi të ri zgjedhor, analistët paralajmërojnë se LDK-ja mund të jetë një prej partive më të dëmtuara nga kriza. Sipas Hoxhës, partia do të hynte në zgjedhje me barrën e dështimit të një procesi që vetë e kishte iniciuar.
“Zgjedhja e Bekim Sejdiut ishte iniciativë e LDK-së. Dështimi i këtij procesi për shkak të përçarjeve të brendshme i jep një barrë të fajit më të theksuar LDK-së”, tha ai.
Muhaxhiri shkon më tej, duke paralajmëruar se mënyra se si Abdixhiku do ta menaxhojë konfliktin me deputetët kundërshtues mund të përcaktojë të ardhmen elektorale të partisë. Sipas tij, në rast të një përplasjeje të mëtejshme, LDK-ja mund të rrezikojë të kthehet në një forcë me mbështetje njëshifrore.
Për LDK-në, një konflikt që përfundon me ndarje nuk do të ishte precedent. Pas vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova, partia u përfshi në një betejë të fortë për drejtimin e saj mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit. Përplasja kulmoi në vitin 2006 me zgjedhjen e Sejdiut në krye të LDK-së, ndërsa Daci u largua dhe në vitin 2007 krijoi Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Pothuajse dy dekada më vonë, mbetet e paqartë nëse kriza aktuale do të çojë deri në një ndarje të re. Por kundërshtimi i marrëveshjes nga gjashtë deputetët ka vendosur LDK-në përballë një sfide të dyfishtë: të gjejë një rrugëdalje nga ngërçi për zgjedhjen e Presidentit dhe, njëkohësisht, të rikthejë unitetin brenda vetë partisë.


