Inxhinierja dhe sipërmarrësja shqiptaro-amerikane Mira Murati është përfshirë nga revista prestigjioze “TIME” në listën “TIME100 AI 2026”, duke u renditur mes 100 figurave që po ndikojnë në zhvillimin dhe të ardhmen e inteligjencës artificiale.
Murati është përzgjedhur gjithashtu si një prej figurave të kopertinës globale të “TIME”, ku shfaqet përkrah disa prej emrave më të njohur dhe më me ndikim të industrisë së teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Ilya Sutskever.
Vlerësimi i “TIME” vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës së Muratit. Pas eksperiencës së saj shumëvjeçare në OpenAI, ku mbajti edhe postin e shefes së teknologjisë, ajo themeloi “Thinking Machines Lab”, kompani e fokusuar në zhvillimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale.
Revista e veçon Muratin edhe për vizionin e saj mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet AI, duke vënë theksin te ideja se njerëzit duhet të kenë më shumë kontroll dhe mundësi zgjedhjeje mbi mënyrën se si e përdorin këtë teknologji.
Përfshirja në “TIME100 AI 2026” e vendos atë në një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare që evidenton drejtuesit, studiuesit, sipërmarrësit dhe inovatorët që po formësojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale.
E lindur në Vlorë, Mira Murati është shndërruar në një prej emrave shqiptarë me profilin më të lartë në industrinë globale të teknologjisë. Nga drejtimi teknologjik në OpenAI te krijimi i kompanisë së saj, ajo vijon të jetë pjesë e zhvillimeve kryesore që po përcaktojnë evolucionin e inteligjencës artificiale në nivel global.


