Shqipëria ka forcuar bashkëpunimin me institucionet europiane në luftën kundër krimit ndërkufitar, duke u renditur ndër partnerët më aktivë të Eurojust gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave të Raportit Vjetor 2025 të Eurojust, të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), Shqipëria është përfshirë në 121 çështje, duke u renditur në vendin e tretë mes vendeve jashtë Bashkimit Europian, pas Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në nivel rajonal, Shqipëria kryeson mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një angazhim të lartë operacional të përfaqësuesve shqiptarë. Gjatë vitit 2025, prokurori ndërlidhës shqiptar kontribuoi në 70 çështje të reja dhe mori pjesë në 51 takime koordinuese.
Bashkëpunimi përfshiu gjithashtu 27 ekipe të përbashkëta hetimore (JIT) dhe 27 aktivitete operacionale, të zhvilluara në kuadër të luftës kundër formave të ndryshme të krimit ndërkufitar.
“Shifra që dëshmojnë një bashkëpunim gjithnjë e më aktiv të Shqipërisë me partnerët europianë në luftën kundër krimit ndërkufitar”, thekson Agjencia për Media dhe Informim.
Të dhënat e Eurojust tregojnë kështu një rritje të rolit të Shqipërisë në bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar dhe në hetimet e përbashkëta me autoritetet europiane.


