Kuba dënon zgjatjen e embargos amerikane: SHBA kërkon të “mbysë ekonomikisht” ishullin

26 Aug 2026 08:34
Shpërndaje:

Kuba ka dënuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për të zgjatur embargon tregtare ndaj ishullit, e cila është në fuqi prej më shumë se gjashtë dekadash, duke akuzuar Uashingtonin se synon ta “mbysë” ekonomikisht vendin.

Administrata amerikane ka zgjatur deri në shtator 2027 Aktin e Tregtisë me Armikun, legjislacioni mbi të cilin u mbështet administrata e presidentit John F. Kennedy në vitin 1962 për vendosjen e embargos tregtare ndaj Kubës.

Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez, reagoi përmes një postimi në X, duke deklaruar se me zgjatjen e masës “Uashingtoni po këmbëngul në qëllimin e tij për të mbytur një komb të tërë”.

Reklamë Ola

Ai e cilësoi politikën amerikane si “gjenocidale” ndaj ishullit me rreth 9.4 milionë banorë.

Vendimi vjen në një periudhë veçanërisht të vështirë për ekonominë kubaneze. Kriza është thelluar që prej janarit edhe për shkak të embargos amerikane ndaj naftës, ndërsa vendi po përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesa të produkteve të ndryshme.

Reklamë InterMedika

Një tjetër goditje për ekonominë është rënia e turizmit, i cili përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave për Kubën.

Që prej vitit 1978, presidentët amerikanë, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë rinovuar çdo vit zbatimin e Aktit të Tregtisë me Armikun ndaj Kubës.

Presidenti amerikan Donald Trump e konsideron ishullin, i cili ndodhet rreth 150 kilometra nga brigjet e Floridës, një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Trump ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Havanës dhe ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se synon ta vendosë ishullin “nën kontrollin” e tij.