4 vatra zjarri mbeten aktive në vend, Ministria e Mbrojtjes: Situata drejt përmirësimit

22 Aug 2026 18:52
Shpërndaje:

Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, ndërsa disa prej vatrave kryesore janë izoluar ose shuar. Deri në orën 17:00 të kësaj të shtune janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse. Atyre u janë bashkuar 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar, ndërsa forcat në terren po vijojnë kontrollin e vijës së zjarrit për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

Reklamë Ola

Gjatë ditës në këtë zonë janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Pukës, Fushë-Arrëzit dhe Kamzës, Shërbimi Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni është mbështetur gjithashtu nga mjete zjarrfikëse, një ekskavator dhe dy helikopterë të FA-së.

Ndërkohë, në Prozhem të Pukës zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore. Në terren ndodhen zjarrfikës, punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë. Era po ndikon në intensitetin e flakëve, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Reklamë InterMedika

Operacioni vijon edhe në Shtanë–Tenë të Mirditës, ku janë angazhuar forcat vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Një tjetër vatër aktive është ajo në Malin e Dajtit. Për shuarjen e saj janë angazhuar 25 efektivë zjarrfikës, 5 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga ajri operacioni po mbështetet nga një helikopter dhe dy avionë Air Tractor. Ministria bën të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera të izoluara vazhdojnë të mbahen nën mbikëqyrje për të shmangur riaktivizimin e tyre.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në të gjithë territorin në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Ministria e Mbrojtjes thekson se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.