Britania dënon komentet e Netanyahut: Janë krejtësisht të papranueshme

15 Aug 2026 11:31
Shpërndaje:

Qeveria britanike ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si “Republika Islamike e Britanisë” gjatë një interviste në radion ushtarake izraelite.

Një zëdhënës i qeverisë britanike i cilësoi komentet “krejtësisht të papranueshme”, duke bërë të ditur se çështja është ngritur zyrtarisht me autoritetet izraelite.

Gjatë intervistës, Netanyahu vlerësoi Randolph Churchill, djalin e ish-kryeministrit britanik Winston Churchill, për mbështetjen që i kishte dhënë Izraelit gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Reklamë Ola

“Dil dhe gjeje një gjë të tillë sot në atë që quhet Republika Islamike e Britanisë”, tha Netanyahu.

Prezantuesi ndërhyri duke pyetur: “A nuk është e gjithë Evropa kështu tani?”, ndërsa Netanyahu u përgjigj: “Po, por dikush tha se republika e parë islamike me armë bërthamore do të jetë Republika Islamike e Britanisë së Madhe.”

Reklamë InterMedika

Ai shtoi se Izraeli do të sigurohej që “të mos kishte një të dytë në Iran”, në një referencë ndaj programit bërthamor iranian.

Komentet e Netanyahut vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Tel Avivit janë përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht pas ardhjes në pushtet të kryeministrit britanik Andy Burnham.

Pak para se të merrte detyrën, Burnham kërkoi falje për reagimin fillestar të Partisë Laburiste ndaj luftës në Gaza, duke deklaruar se partia duhej “të kishte bërë më mirë”.

Edhe pse dënoi sulmet e Hamasit të 7 tetorit dhe incidentet antisemite në Britani, Burnham theksoi se ishte e domosdoshme që qeveria britanike të ishte më e qartë në kritikat ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.

“Vuajtjet e padurueshme në Gaza janë një plagë në ndërgjegjen tonë kolektive. Është krejtësisht e papranueshme që palestinezë të pafajshëm, përfshirë fëmijë, vazhdojnë të vriten”, deklaroi ai në fillim të korrikut, duke kërkuar presion më të madh ndaj qeverisë izraelite.

Komentet e Netanyahut pasqyrojnë retorikën e përdorur prej kohësh nga disa politikanë dhe aktivistë të së djathtës në Britani dhe vende të tjera, të cilët pretendojnë se ndikimi i Islamit në Mbretërinë e Bashkuar është në rritje.