Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të dëshironte të kandidonte për një mandat të tretë presidencial në vitin 2028, por ka pranuar se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara nuk ia lejon një gjë të tillë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të ardhmen e tij politike, Trump tha se mundësia e një kandidimi tjetër i përmendet vazhdimisht.
“Të gjithë më pyesin nëse do të kandidoj në vitin 2028. Do të doja shumë, por ligji për këtë çështje është shumë i qartë dhe i rreptë”, deklaroi presidenti amerikan.
Amendamenti i 22-të i Kushtetutës amerikane përcakton se asnjë person nuk mund të zgjidhet në postin e presidentit më shumë se dy herë.
Gjatë prononcimit, Trump u ndal edhe te tensionet me Iranin dhe situata në Lindjen e Mesme. Ai deklaroi se nuk i beson Teheranit dhe pretendoi se Shtetet e Bashkuara kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit.
“Ne e kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit, jo ata”, tha Trump, duke shtuar se Irani nuk duhet të shndërrohet në “ngacmuesin e Lindjes së Mesme”.
Ngushtica e Hormuzit është një prej pikave më strategjike për tregtinë globale të energjisë dhe tensionet në këtë zonë kanë ngritur shqetësime për furnizimin dhe çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu largimin e tij të papritur nga samiti i NATO-s në Turqi, duke thënë se përballet vazhdimisht me kërcënime për shkak të pozicionit që mban.
“Marr shumë kërcënime. Shumë kërcënime për të cilat ju nuk i dini. Kushdo që ka një pozicion të rëndësishëm përballet me shumë kërcënime. Ata që nuk kanë rëndësi nuk kërcënohen. Mendoj se unë jam objektivi kryesor”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se për sigurinë e tij mbështetet te Shërbimi Sekret amerikan dhe se ndjek udhëzimet e agjentëve përgjegjës për mbrojtjen e tij.


