Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka vlerësuar punën e strukturave të angazhuara në përballimin e zjarrit në Rabinë të Mallakastrës, duke veçuar drejtimin operacional të kreut të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme dhe për disa orë vuri në provë kapacitetet operacionale në terren. Në operacion u angazhuan strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, pushteti vendor dhe vullnetarët.
Sipas Softës, ndërhyrja tregoi se menaxhimi i emergjencave të kësaj natyre nuk varet vetëm nga numri i mjeteve apo forcave në dispozicion, por edhe nga mënyra se si ato organizohen dhe koordinohen në kohë reale.
Ai veçoi në këtë drejtim rolin e Arben Carës, i cili ishte në terren dhe drejtoi nga afër operacionin për lokalizimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e banesave që rrezikoheshin nga përhapja e flakëve.
“Operacioni i zhvilluar në Rabinë të Mallakastrës dëshmoi se menaxhimi i emergjencave nuk varet vetëm nga mjetet, por mbi të gjitha nga drejtimi, koordinimi dhe gatishmëria institucionale”, shkruan Softa.
Softa: Shembull i zbatimit të Planit Kombëtar të Masave
Eksperti e lidhi ndërhyrjen në Mallakastër edhe me zbatimin e Planit Kombëtar të Masave të hartuar nga Ministria e Brendshme për sezonin e zjarreve.
Sipas tij, operacioni tregoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve kur një emergjencë kërkon angazhimin e disa strukturave njëkohësisht.
“Ky është një shembull konkret i zbatimit të Planit Kombëtar të Masave të hartuar nga Ministria e Brendshme për sezonin e zjarreve, ku bashkërendimi ndërinstitucional, komanda operative dhe reagimi i shpejtë janë elementët që bëjnë diferencën mes një situate të kontrolluar dhe një katastrofe”, theksoi ai.
Softa vlerësoi në mënyrë të veçantë drejtimin e operacionit nga Cara dhe koordinimin e strukturave shtetërore, duke theksuar se një komandë efektive në terren është vendimtare në situata kur flakët kërcënojnë banesa, prona dhe sipërfaqe të mëdha.
“Mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit është pjesë e sigurisë kombëtare”
Në reagimin e tij, Softa theksoi se përballimi i zjarreve kërkon jo vetëm ndërhyrje në momentin e emergjencës, por një sistem të integruar që përfshin profesionalizëm, disiplinë, investime dhe gatishmëri të vazhdueshme.
“Si ekspert i sigurisë, vlerësoj rolin drejtues të Arben Carës në menaxhimin operacional në terren, si dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme për koordinimin e të gjitha strukturave përgjegjëse”, shkruan Softa.
Sipas tij, mbrojtja nga zjarret duhet parë edhe si çështje e sigurisë kombëtare, për shkak të rrezikut që këto emergjenca paraqesin për jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.
Në përfundim, Softa shprehu mirënjohje për efektivët zjarrfikës, punonjësit e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët e angazhuar në operacionin në Rabinë.


