Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një vizitë në Njësinë e Radioterapisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u njoh me ecurinë e trajtimit të pacientëve onkologjikë dhe vlerësoi investimet në teknologjitë moderne për trajtimin e kancerit.
Gjatë vizitës, ministrja u ndal te rasti i 10-vjeçarit Arsi, i diagnostikuar me limfomë Hodgkin në stadin IV, i cili përfundoi me sukses fazën e radioterapisë së konsolidimit. Trajtimi u realizua me akseleratorin e tretë linear, që është në funksion që prej muajit maj 2026.
Sala theksoi se aktualisht në vend funksionojnë tre akseleratorë linearë, ndërsa shumë shpejt shërbimit do t’i shtohen edhe akseleratori i katërt linear dhe brakiterapia, duke rritur kapacitetet e trajtimit onkologjik.
“Ky është rezultati i punës së një skuadre të tërë profesionistësh, që kanë bashkëpunuar në mënyrë të koordinuar për të garantuar trajtimin më të mirë për pacientin. Aktualisht janë tre akseleratorë funksionalë, ndërsa së shpejti do të kemi edhe akseleratorin e katërt dhe brakiterapinë”, u shpreh ministrja.
Ajo vlerësoi punën e ekipeve multidisiplinare të Institutit Kombëtar të Tumoreve, duke theksuar se bashkëpunimi mes onkohematologjisë pediatrike, radioterapisë, imazherisë dhe shërbimeve të tjera mbështetëse garanton trajtim sipas standardeve bashkëkohore.
Ministrja nënvizoi gjithashtu zgjerimin e aksesit në trajtimin onkologjik përmes pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale, duke lehtësuar marrjen e shërbimit për pacientët pa qenë e nevojshme të udhëtojnë drejt Tiranës.
Sipas saj, historia e Arsit dëshmon se investimet në teknologji moderne, zbatimi i protokolleve ndërkombëtare dhe përkushtimi i personelit mjekësor po japin rezultate konkrete në trajtimin e pacientëve me sëmundje onkologjike.


