Ekspertët e OKB-së i kërkojnë SHBA-së heqjen e sanksioneve ndaj Kubës: Po thellojnë krizën humanitare

06 Aug 2026 18:52
Shpërndaje:

Ekspertët e të drejtave të njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin sanksionet ndaj Kubës, duke paralajmëruar se masat e fundit po përkeqësojnë krizën humanitare dhe po rëndojnë jetën e qytetarëve në ishull.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, ekspertët kritikuan veçanërisht kufizimet e reja ndaj sektorit energjetik, të shpallura më 23 korrik, duke theksuar se ato kanë vështirësuar importin e karburanteve në një kohë kur Kuba po përballet me mungesa të mëdha dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Sipas tyre, situata po rrezikon të drejtat themelore për shëndet, jetë, ushqim dhe zhvillim. Ata paralajmëruan gjithashtu se grumbullimi i mbeturinave në disa zona të Havanës po shton rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.

Reklamë Ola

Ekspertët theksuan se ndërprerjet e energjisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa agjencitë e OKB-së në Kubë kanë raportuar rritje të pasigurisë ushqimore, mungesë ilaçesh dhe furnizimesh jetike, si edhe ulje të kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me kancer.

Në deklaratë, ata i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shmangur atë që e cilësuan si një “Gazë të heshtur” në Kubë.

Reklamë InterMedika

Ekspertët argumentuan se sanksionet amerikane bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë pjesë të një strategjie për ndryshimin e sistemit politik të Kubës. Ata kërkuan nga Uashingtoni të revokojë masat që, sipas tyre, cenojnë sovranitetin e vendit, ndërsa i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ta trajtojnë çështjen me urgjencë.