Rama: Avioni i parë zjarrfikës ka nisur operacionet, 5 vatra zjarri mbeten ende aktive në vend

05 Aug 2026 13:45
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se avioni i parë zjarrfikës ka nisur zyrtarisht operacionet për përballimin e situatës së zjarreve në vend, ndërsa vlerësoi angazhimin e forcave të emergjencës në terren gjatë një prej periudhave më sfiduese të sezonit veror.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga operacionet për shuarjen e flakëve dhe theksoi se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë më parë për përballimin e emergjencave të tilla, megjithëse mbetet e vetëdijshme për rrezikun që paraqesin përshkallëzimet ekstreme të zjarreve, si ato që po përballojnë aktualisht disa vende evropiane.

“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e më të përgatitur se asnjëherë më parë, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për, larg qoftë, rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Evropës aktualisht”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Rama shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjitha strukturat e angazhuara në operacionet e shuarjes së zjarreve, duke vlerësuar punën e zjarrfikësve, forcave të armatosura, policisë, mbrojtjes civile dhe të gjithë efektivëve që po operojnë në terren.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim, gjatë 12 orëve të fundit në vend janë regjistruar 14 vatra zjarri, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të mbeten aktive dhe po monitorohen nga strukturat përgjegjëse.

Reklamë InterMedika

Operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve po zhvillohen me angazhimin e 182 forcave operacionale, 19 automjeteve zjarrfikëse, tre helikopterëve dhe avionit të parë zjarrfikës të Forcës Ajrore, i cili është përfshirë tashmë në ndërhyrjet ajrore.

Vatrat aktive ndodhen në disa zona të vendit, përfshirë malin e Dajtit, fshatin Riban në Mallakastër, fshatin Shqiponjë në bashkinë Prrenjas, Vërzhezhën në Skrapar, zonën e Krekëzës në Himarë, si dhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në territorin e bashkive Libohovë dhe Dropull.

Autoritetet bëjnë të ditur se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në bashkëpunim me të gjitha institucionet e përfshira, me synimin për izolimin e plotë të vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.