Qeveria shqiptare ka miratuar një fond shtesë prej 40 milionë lekësh për të rritur mbështetjen financiare ndaj sportistëve elitarë, në kuadër të politikave për zhvillimin e sportit dhe përmirësimin e skemës së shpërblimeve për ata që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se financimi i sportit është kthyer në një nga prioritetet e qeverisë. Sipas tij, fondi i ri është miratuar me aktin normativ të fundit dhe synon të forcojë mbështetjen për sportistët që arrijnë rezultate në garat ndërkombëtare.
Gonxhja bëri të ditur se paketa e re parashikon rritje të mbështetjes për sportet joolimpike dhe për trajnerët shqiptarë, si edhe përmirësim të trajtimit ushqimor ditor për sportistët. Po ashtu, janë rritur shpërblimet për rezultatet e arritura në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Evropiane, Mesdhetare dhe Ballkanike, ndërsa është përmirësuar edhe skema e financimit për sportet që zhvillohen në disa disiplina.
Ministri nënvizoi se këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e sportit në vend. Ai bëri të ditur se buxheti i shtetit për sportin në vitin 2026 është rritur me 32 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë të financimit publik për këtë sektor ndër vite.
Sipas Gonxhjes, investimi në sport nuk lidhet vetëm me sukseset në gara, por edhe me krijimin e mundësive për të rinjtë, promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e krenarisë kombëtare. Ai theksoi se qeveria do të vijojë të mbështesë sportistët dhe trajnerët shqiptarë me synimin për të rritur konkurrueshmërinë e tyre dhe për të siguruar rezultate sa më të mira në kompeticionet ndërkombëtare.


