Netanyahu shkon në SHBA për takimin me Trump

27 Jul 2026 16:24
Shpërndaje:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të zhvillojë të hënën një vizitë dyditore në Uashington, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes dy aleatëve dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Takimi mes Trump dhe Netanyahut do të zhvillohet disa orë përpara ceremonisë mortore të senatorit Lindsey Graham, një aleat i afërt i të dy liderëve, ku do të marrin pjesë edhe presidenti amerikan dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vizita vjen pas disa javësh tensionesh mes Uashingtonit dhe Jerusalemit, të lidhura me zhvillimet në Iran, Liban dhe Gaza, si dhe pas anulimit të një takimi të planifikuar më herët, për të cilin palët dhanë versione të ndryshme.

Reklamë Ola

Sipas burimeve diplomatike, administrata amerikane pret që Netanyahu të paraqesë përparim në çështjen e Libanit. Javën e kaluar Izraeli u tërhoq nga një fshat në jug të vendit, pas nisjes së një projekti pilot të mbështetur nga SHBA për vendosjen e ushtrisë libaneze në disa zona kufitare.

Ndërkohë, kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar marrëveshjen me “Board of Peace”, organ i krijuar nga Trump për mbikëqyrjen e armëpushimit në Gaza. Plani parashikon vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese në një zonë të kufizuar të Rripit të Gazës dhe ngritjen e dy kampeve për palestinezët e zhvendosur.

Reklamë InterMedika

Një prej kampeve do të financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa për projektin më të madh ende nuk është siguruar financimi. Sipas burimeve, administrimi civil i zonës dhe ndërtimi i strehimeve të përkohshme mund të shtyhen deri pas zgjedhjeve izraelite të tetorit.

Megjithëse këto lëvizje konsiderohen sinjale pozitive, situata humanitare në Gaza mbetet kritike. Shumica e popullsisë vazhdon të jetojë në çadra, ndërsa bombardimet dhe ofensiva izraelite kanë shkaktuar mbi 1.000 viktima që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Sipas burimeve të përfshira në negociata, zhvillimet në Gaza dhe Liban shihen si gjeste vullneti të mirë nga Netanyahu përpara takimit me Trump. Një rol të rëndësishëm në organizimin e takimit thuhet se ka luajtur Aryeh Lightstone, këshilltar i lartë i “Board of Peace”.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut mbeten të tensionuara. Sipas raportimeve, presidenti amerikan ka shprehur pakënaqësi për insistimin e Izraelit në zgjerimin e operacioneve ushtarake në Liban.

Burime pranë qeverisë izraelite thonë se Netanyahu ka nevojë për mbështetjen politike të Trump në prag të zgjedhjeve, ndërsa Shtëpia e Bardhë pritet të kërkojë hapa më konkretë për uljen e tensioneve në rajon.

Në fokus të bisedimeve pritet të jenë edhe Irani, e ardhmja e Gazës, situata në Liban dhe vazhdimi i ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, për të cilën Uashingtoni kërkon një plan të qartë dhe rezultate konkrete.