Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Teknik 2025 mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke theksuar se ajo krijon bazën ligjore për zbatimin e projektit EU4Food Safety.
Gjatë fjalës së tij, Salla e cilësoi projektin si një instrument strategjik për modernizimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
“Ky nuk është thjesht një projekt bashkëpunimi, ai është një instrument strategjik që mbështet një nga prioritetet tona më të rëndësishme: ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh ministri.
Sipas Sallës, Bashkimi Evropian nuk kërkon vetëm miratimin e legjislacionit, por edhe institucione funksionale, kontrolle efektive, laboratorë të besueshëm dhe një administratë që zbaton standardet evropiane në praktikë.
Ai bëri të ditur se projekti synon të mbështesë Shqipërinë në ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore, tërësisht të harmonizuar me standardet e BE-së. Projekti do të forcojë institucionet përgjegjëse për kontrollin zyrtar, do të modernizojë procedurat e inspektimit dhe kapacitetet laboratorike, do të ndihmojë në harmonizimin e legjislacionit dhe zbatimin efektiv të tij, si dhe do të kontribuojë në përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 12 të negociatave.
“Ky projekt nuk ndihmon vetëm procesin e negociatave, por ndërton një sistem më efikas, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët dhe biznesin”, tha ministri.
Salla njoftoi se, përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria Gjermane do të kontribuojë me një grant prej 1 milion eurosh, ndërsa Bashkimi Evropian do të financojë projektin me 12.5 milionë euro të tjera, duke e çuar vlerën totale të mbështetjes në 13.5 milionë euro për periudhën 2026–2030.
“Kjo është një dëshmi e besimit që partnerët tanë evropianë kanë ndaj institucioneve shqiptare dhe reformave që po ndërmarrim në kuadër të procesit të anëtarësimit. Shqipëria nuk përfiton vetëm financim, por edhe përvojën dhe praktikat më të mira të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se Kapitulli 12 është një nga kapitujt më kompleksë të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve, mbrojtjen e bimëve dhe shëndetin publik.
“Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga përafrimi formal i legjislacionit drejt zbatimit efektiv të tij. Ai demonstron se Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Evropian jo vetëm përmes angazhimeve politike, por përmes reformave konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme”, përfundoi Salla.


