Begaj nga Kievi: Mbështetja për Ukrainën duhet të shoqërohet me veprime konkrete

16 Jul 2026 08:50
Shpërndaje:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të zhvilluar në Kiev, si edhe në ceremonitë zyrtare për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës, ku rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial dhe rrugën evropiane të Ukrainës.

Në fjalën e mbajtur gjatë samitit, Begaj theksoi se Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën që prej nisjes së agresionit rus dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

“Shqipëria ka qenë e qartë dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Ne qëndrojmë në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit tuaj territorial brenda kufijve tuaj të njohur ndërkombëtarisht. Gjithashtu, mbështesim arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, që respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime të popullit ukrainas”, deklaroi Presidenti.

Reklamë Ola

Gjatë samitit, kreu i shtetit shqiptar theksoi se mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën duhet të shoqërohet me masa konkrete dhe bashkëpunim praktik, duke vënë theksin te siguria, rindërtimi dhe integrimi evropian i vendit.

“Mbështetja jonë duhet të shkojë përtej deklaratave. Ajo duhet të përkthehet në bashkëpunim praktik. Kjo është arsyeja pse Samiti i sotëm ka rëndësi. Ai na lejon të forcojmë koordinimin politik, të thellojmë solidaritetin rajonal dhe të identifikojmë fusha konkrete për veprim të përbashkët”, u shpreh Begaj.

Reklamë InterMedika

Presidenti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit për sigurinë dhe qëndrueshmërinë përballë kërcënimeve të përbashkëta, mbështetjen për rimëkëmbjen dhe rindërtimin transparent të Ukrainës, si edhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Ukrainës dhe vendeve të rajonit.

Sipas tij, zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e kontinentit.

Samiti u mbyll me miratimin e një deklarate të përbashkët, ku liderët e Evropës Juglindore riafirmuan unitetin me Ukrainën dhe vlerësuan se siguria e saj është pjesë integrale e sigurisë së gjithë Evropës.

Në kuadër të vizitës në Kiev, Presidenti Begaj mori pjesë edhe në ceremonitë për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës, ku shprehu vlerësimin për qëndresën e popullit ukrainas.

“Në këtë ditë solemne, le të nderojmë gjithashtu guximin e popullit ukrainas – ushtarëve, civilëve, familjeve, mjekëve, mësuesve, ekipeve të shpëtimit dhe vullnetarëve, të cilët vazhdojnë të dëshmojnë një forcë të jashtëzakonshme përballë vuajtjeve. Qëndrueshmëria e tyre është frymëzim për të gjithë ata që besojnë te liria dhe drejtësia”, deklaroi ai.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin ukrainas, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me presidentin Volodymyr Zelensky, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetjen e Shqipërisë për rimëkëmbjen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Ukrainës, si edhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Presidenti i Republikës rikonfirmoi solidaritetin e plotë të Shqipërisë me Ukrainën dhe angazhimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.