Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Gert Jan Koopman, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet me ecurinë më të mirë në Ballkanin Perëndimor për zbatimin e reformave të parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian.
Gjatë një seance në Parlamentin Europian, Koopman tha se të dyja vendet pritet të arrijnë një nivel zbatimi prej rreth 80% deri në muajin qershor, duke u renditur në krye të rajonit për përmbushjen e angazhimeve të marra.
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet me ecurinë më të mirë në zbatimin e reformave të parashikuara nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një nivel të pritshëm zbatimi prej rreth 80% deri në muajin qershor”, u shpreh Koopman, sipas Agjencisë për Media dhe Informim.
Ai theksoi se ky progres ka rëndësi të veçantë, pasi Plani i Rritjes e lidh disbursimin e fondeve të Bashkimit Europian me përmbushjen e reformave kyçe në fusha si sundimi i ligjit, ekonomia, energjia dhe administrata publike.
Sipas Komisionit Europian, zbatimi i këtyre reformave është një kusht thelbësor për përfitimin e mbështetjes financiare dhe për afrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e Bashkimit Europian.
Plani i Rritjes, me një fond prej 6 miliardë eurosh, synon të përshpejtojë konvergjencën ekonomike të vendeve të rajonit me BE-në, duke nxitur zhvillimin ekonomik, reformat strukturore dhe përgatitjen për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.


