Kryeministri Edi Rama udhëton sot drejt Parisit për të marrë pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën (Coalition of the Willing), me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, samiti do të mbledhë krerë shtetesh dhe qeverish, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë takim riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e vendit në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët euroatlantikë.
Vizita në Paris do të vijojë edhe më 14 korrik, kur, gjithashtu me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të Festës Kombëtare të Francës, një nga aktivitetet më të rëndësishme shtetërore të vendit.


