Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se dy persona të pranishëm në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë janë persona të arrestuar më parë për trafik droge.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi një video dhe identifikoi dy prej protestuesve si Egzon Azemi dhe Besnik Mujeci, duke pretenduar se ata janë vënë në pranga nga Policia për shitje të lëndëve narkotike.
“Transparenca e protestës, identifikojmë sorrat. Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore, e kam fjalën për tipa si këta në video, që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës. Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, shkroi Balla.
Sipas tij, Egzon Azemi dhe Besnik Mujeci janë arrestuar më herët në një operacion policor ku u sekuestruan rreth 11 mijë doza droge.
Deklarata e Ballës vjen në vijim të debatit politik mbi protestën që po zhvillohet prej javësh para Kryeministrisë. Deri më tani nuk ka pasur reagim nga personat e përmendur lidhur me pretendimet e kreut të grupit parlamentar socialist.


