Koçiu: Shqipëria hap një kapitull të ri për zhvillimin e balancuar të rajoneve
Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë, duke shënuar nisjen e një mekanizmi të ri për koordinimin e politikave dhe investimeve në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm territorial.
Në mbledhje morën pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se Shqipëria po hap një kapitull të ri drejt një modeli më të qëndrueshëm dhe më të balancuar zhvillimi për të gjitha rajonet e vendit.
“Përmes një qasjeje të re, një planifikimi më efikas dhe investimeve të orientuara sipas nevojave dhe potencialeve të çdo zone, synojmë t’u përgjigjemi më mirë dinamikave ekonomike, sociale dhe urbane të vendit”, u shpreh ajo.
Sipas Koçiut, ky proces do të ndihmojë në forcimin e kohezionit ekonomik dhe social, në reduktimin e pabarazive mes rajoneve dhe në krijimin e më shumë mundësive për qytetarët në të gjithë territorin e vendit.
“Integrimi europian nuk mbetet vetëm një objektiv politik, por shndërrohet në një standard konkret mirëqenieje dhe zhvillimi, të prekshëm në çdo rajon të Shqipërisë”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Nga ana e tij, ministri Blendi Gonxhja e cilësoi krijimin e Komitetit si një hap të rëndësishëm për forcimin e mekanizmave të qeverisjes në funksion të zhvillimit të balancuar territorial.
Sipas tij, Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin do të ketë një rol kyç në orientimin e investimeve dhe politikave zhvillimore, duke garantuar koordinim më të fortë ndërinstitucional dhe një përdorim më efektiv të potencialeve ekonomike, turistike, kulturore dhe sociale të rajoneve të vendit.
Gonxhja theksoi se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mbetet e angazhuar për të kontribuar në këtë proces përmes politikave dhe programeve që mbështesin zhvillimin e turizmit, kulturës dhe sportit, në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.







