Rama: Investimi në Zvërnec nuk duhet refuzuar, Shqipëria s’mund të mbetet peng i frikës nga zhvillimi
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, mbrojti projektet strategjike të zhvillimit në vend, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të refuzojë investime të mëdha që ndikojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë.
Duke iu referuar debatit për projektin në Zvërnec, Rama tha se vendi ka nevojë për diskutim dhe vigjilencë demokratike, por jo për paragjykim të menjëhershëm ndaj çdo investimi të rëndësishëm.
“Ky është investimi më i madh që i ka ardhur Shqipërisë në historinë e saj dhe ky vend nuk e ka luksin ta refuzojë. Natyrisht që ka vend për debat dhe vigjilencë, por nuk është e drejtë që çdo ambicie e madhe të shpallet krim pa u projektuar ende”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, sfida e Shqipërisë është të gjejë balancën mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik, duke kundërshtuar qasjen që, sipas tij, e sheh çdo projekt zhvillimor si kërcënim për mjedisin.
“Natyra nuk mbrohet duke mbajtur një vend të varfër. Sfida jonë është ta mbrojmë natyrën duke u zhvilluar. Shqipëria nuk është budallai i lagjes dhe ka të gjitha mundësitë për të ecur përpara”, deklaroi kryeministri.
Rama tha gjithashtu se debati rreth projektit ka marrë përmasa më të mëdha sesa vetë çështja e Zvërnecit, duke pretenduar se pas tij fshihen interesa dhe përplasje më të gjera.
Ai vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit elitar në Shqipëri, duke theksuar se vendi duhet të tërheqë vizitorë me fuqi të lartë shpenzuese, të cilët sjellin më shumë të ardhura dhe më pak ndikim negativ në mjedis.
“Ne kemi nevojë për sa më shumë turizëm elitar. Këta turistë sjellin më shumë të ardhura, më pak trafik dhe më pak mbetje. Shqipëria nuk mund të mbetet vetëm te turizmi masiv dhe nuk duhet të mbetet pas vendeve të tjera të rajonit”, tha Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi traditën shqiptare të mikpritjes dhe tolerancës, duke kujtuar se shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojtën hebrenjtë dhe ruajtën vlerat e respektit ndaj tjetrit.
“Historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që, përtej dallimeve, kanë ditur të respektojnë tjetrin dhe mikun”, përfundoi Rama.







