Kryetari i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, ka uruar 35-vjetorin e Partisë Socialiste, duke shprehur mirënjohje për themeluesit, anëtarët, simpatizantët, patronazhistët dhe votuesit që kanë kontribuar ndër vite në rrugëtimin e forcës politike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla vlerëson rolin e Partisë Socialiste në zhvillimin e vendit, duke theksuar se Shqipëria sot ka institucione më funksionale, shërbime më cilësore, një ekonomi në rritje dhe një pozicion të konsoliduar në arenën ndërkombëtare.
“Partia Socialiste ka meritën e padiskutueshme të bërjes së Shqipërisë me shtet, me institucione funksionale e shërbime europiane, me një ekonomi që rritet, me drejtësi e barazi para ligjit, si dhe me një rol të rëndësishëm në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare”, shkruan Balla.
Balla nënvizon se Partia Socialiste ka sot një mision historik për të ardhmen e vendit: përmbylljen e procesit të anëtarësimit në Bashkimi Europian dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë si një destinacion konkurrues në turizëm.
Në përfundim të urimit të tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Balla shpreh besimin se objektivat strategjikë të vendit do të realizohen falë mbështetjes së qytetarëve dhe angazhimit të forcës politike që ai përfaqëson.


